TIRANE-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i ka dërguar një propozim Presidentit Bujar Nishani për faljen e Nazime Vishës, e cila akuzohet për vrasjen e Fiqiri Muçës.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, propozimi i Manjanit vjen në bazë të ligjit pre faljen. Sipas këtij institucioni, nga e dënuara janë përmbushur kriteret ligjore për faljen e këtij rasti.

Në propozimin dërguar Presidentit të Republikës, argumentohet se Ministri i Drejtësisë ka administruar kërkesën e shtetases së dënuar Nazime Beqir Visha, kërkesë kjo e paraqitur në bazë të ligjin nr. 10295, “Për faljen”, datë 01.07.2010.

Nga aktet e përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbi dinamikën e vuajtjes së dënimit, rezulton se e dënuara Nazime Beqir Visha, e dënuar me vendim të formës së prerë me 10 (dhjetë) vjet burgim, ka vuajtur 3 (tre) vite, 6 (gjashtë) muaj e 4 (katër) ditë burgim.

Ndërkohë po sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit e dënuara në fjalë ka fituar me paraburgim 7 (shtatë) muaj e 2 (dy) ditë; ka fituar me punë 4 (katër) muaj e 3 (tre) ditë; ka fituar ulje dënimi 3 (tre) muaj bazuar në nenin 63 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar; ka fituar ulje dënimi me ligjin nr. 22/2014 “Për dhënie amnistie”, 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj.

Pra kësaj të dënuarës i mbeten për të vuajtur edhe 3 (tre) vite, e 9 (nëntë) muaj, e 21 (njëzet e një) ditë burgim.

Në ligjin nr.10295, datë 01.07.2010 “Për faljen”, neni 5, parashikohen rastet se kur jepet falja dhe konkretisht, në këtë dispozitë parashikohet se:

Falja e dënimit mund të jepet kur:

a) nuk ekzistojnë kriteret ndaluese të parashikuara në ligj;

b) personi i dënuar ka vuajtur më shumë se një të tretën e dënimit të dhënë;

c) personi i dënuar me sjelljen, punën dhe veprimet e tij tregon se nëpërmjet dënimit të vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror të tij.

Ndërkohë, në vlerësim të nenit 7 të ligjit rezulton se e dënuara Nazime Beqir Visha, bazuar në Vlerësimin e Sjelljes dhënë nga I.E.V.P Ali Demi nr. 47 Prot, datë 17.02.2016, ka respektuar rregullat e Institucionit dhe nuk ka masa disiplinore. Ka pasur marrëdhënie shumë të mira me personelin e shërbimit dhe me bashkëvuajtëset. Ajo gjithashtu mban takime të rregullta me familjen dhe për më tepër e dënuara shpreh pendim të thellë për të gjitha pasojat e ardhura prej veprimeve të saj.

“Përsa më sipër, Ministri Manjani, duke patur parasysh kërkesat e ligjit nr.10295/2010 “Për faljen”, sipas të cilit falja është një akt human i jashtëzakonshëm mëshire dhe jepet vetëm në rastet kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese, pasi ka analizuar me vëmendje faktet dhe rrethanat e shqyrtuara të çështjes si dhe pasi i ka krahasuar ato me dispozitat ligjore, konkludoi se:

“Në rastin në fjalë nuk ekziston kriter ndalues i parashikuar nga neni 6 i ligjit. E dënuara Nazime Visha, ka kryer më shumë 1/3 e dënimit të dhënë dhe sipas akteve të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kjo shtetase e dënuar, me sjelljen punën dhe veprimet e saj ka treguar se nëpërmjet dënimit të vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe rehabilitimin e saj shoqëror dhe ajo në vijimësi ka treguar pendim të thellë për pasojat e ardhura nga veprimet e saj”.

Për këto arsye, bazuar në nenin 92 shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 2, 5/ç dhe 10, pika 1 të ligjit nr. 10295, datë 01.07.2010 “Për Faljen”, Manjani ka përcjellë për shqyrtim kërkesën për faljen e dënimit të mbetur për të dënuarën Nazime Visha, ku si Ministër i Drejtësisë ka propozuar “Pranimin e kërkesës të paraqitur nga e dënuara Nazime Beqir Visha, për faljen e plotë të dënimit të mbetur””, thuhuet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

NAZIME VISHA PARAQET KËRKESË NË GJYKATËN E TIRANËS PËR TË PËRFITUAR NGA LIGJI PËR AMNISTINË
Vetë Nazime Visha, e dënuar për vrasjen me dashje të Fiqiri Muçës, ka paraqitur në Gjykatën e Tiranës kërkesë për të përfituar nga ligji për amnistinë. Ditën e sotme është zhvilluar sot seanca e parë gjyqësore për këtë kërkesë, e cila u shty për t’i dhënë kohë prokurorisë të njihet me aktet.

Nazime Visha është parë e përlotur në sallën e gjyqit, dhe nuk ka dashur praninë e kamerave brenda në sallë.

Nazime Visha, e dënuara me 10 vjet burg për “vrasje me paramendim” të kryer në moshën 18­vjeçare kërkon ulje dënimi. Ajo po vuan dënimin për vrasjen e Fiqiri Muçës më 13 gusht 2012 në Kërrabë, Tiranë, nga i cili pretendonte se ishte abuzuar seksualisht për katër vite me radhë.

Kërkesa e saj për ulje të masës së dënimit është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 19 janar të këtij viti, e cila shqyrtohet nga gjyqtari Lazër Sallaku.

Përmes kësaj kërkesë, Visha kërkon të përfitojë nga e drejta e çdo të burgosuri me një vendim të formës së prerë për të përfituar uljen deri në 90 ditë në vit nga dënimi për shkak të sjelljes së mirë në institucionin e vuajtjes së dënimit.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: