Një nga biznesmenët më të pasur të Ukrainës është vrarë me gruan e tij në granatimet “masive” ruse të qytetit jugor të Mykolaiv.
Oleksiy Vadatursky, 74 vjeç dhe gruaja e tij Raisa vdiqën kur një raketë goditi shtëpinë e tyre gjatë natës, thanë mediat ukrainase.
Z. Vadatursky zotëronte Nibulon, një grup i përfshirë në eksportet e grurit. Ai kishte marrë edhe çmimin “Hero i Ukrainës”.
Kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleksandr Senkevych tha se ishte ndoshta bombardimi më i rëndë rus i qytetit deri më tani.
Dëme ka pasur një hotel, një kompleks sportiv, dy shkolla dhe një servis, si dhe banesa.
Mykolaiv është në rrugën kryesore për në Odesa, porti kryesor i Ukrainës, dhe është goditur vazhdimisht.
Udhëheqësi i rajonit Vitaliy Kim tha se Vadatursky “bëri shumë për rajonin e Mykolaiv, shumë për Ukrainën”.
“Kontributi i tij në zhvillimin e industrisë bujqësore dhe të ndërtimit të anijeve, zhvillimin e rajonit është i paçmuar”, tha ai në Telegram.
Nibulon ka ndërtuar shumë objekte magazinimi dhe infrastrukturë tjetër për eksportimin e grurit.
Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë të grurit dhe drithërave të tjera, dhe ndërprerja e eksporteve të shkaktuara nga lufta ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën.
Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB në Turqi javën e kaluar, që synon lehtësimin e krizës ushqimore.
Rifillimi i eksporteve ukrainase është vonuar nga kontrollet e sigurisë. Por të dielën Turqia tha se anija e parë që transportonte grurë pritej të largohej nga Odesa të hënën në mëngjes.
Ukraina akuzon forcat ruse për vjedhjen e grurit nga fermat në tokat e pushtuara dhe eksportimin e tyre nëpërmjet Krimesë. Rusia i mohon këto pretendime.
Ndërkohë në veri, qyteti i dytë i Ukrainës, Kharkiv, u godit përsëri nga raketat ruse, tha kryebashkiaku Igor Terekhov në Telegram. Tre raketa ruse S-300 goditën një shkollë atje, duke shkatërruar ndërtesën kryesore, tha ai.
BBC nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet e fundit.