NGA OLA MITRE

TIRANE- Të gjithë mjekët, farma cistët dhe stomatologët, të cilët nuk përmbushën detyrimet e ciklit të parë të edukimit në vazhdim, kanë detyrimin ligjor që të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim për të dhënë provimin e certifikimit. Ndërkaq, QKEV-ja ka shtyrë afatin, nga data 29 shkurt që ishte përcaktuar paraprakisht, për në datën 20 mars. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar edhe listën e përditësuar të këtyre profesionistëve të shëndetësisë, të cilët nuk grumbulluan numrin e kërkuar të krediteve deri në dhjetor të vitit 2014.

Lista mund të konsultohet online, në adresën shendetesia.- gov.al, ndërkohë që çdo profesionist që e gjen emrin në të, do të duhet të paraqitet për regjistrim, në mënyrë që të japë provimin. Sipas kësaj liste, në total janë 1068 profesionistë të shëndetësisë, nga të cilët, 616 mjekë, 90 farmacistë dhe 362 stomatologë, që do të duhet të futen në provim. Sa i takon dokumentacionit, është saktësuar se pjesëmarrësit në provim duhet të jenë të pajisur me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë) si dhe me një fotokopje të saj, të kenë faturën e pagesës për provimin e certifikimit si dhe të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit. Sa i takon pagesës, fatura mund të shkarkohet në faqen online qkev.gov.al, ndërsa shuma për arkëtim është 10 mijë lekë.

SANKSIONET
Ndërkaq, sa u takon sanksioneve, në bazë të ligjit “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i cili u ndryshua në korrik të këtij viti, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen, nëse profesionisti i shëndetësisë nuk merr asnjë kredit të edukimit të vazhdueshëm. Rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti t’i jetë nënshtruar provimit të certifikimit. Sipas të njëjtit ligj, nëse profesionisti i shëndetësisë mbledh kredite të edukimit të vazhdueshëm, por më pak se limiti i kërkuar, ai duhet t’i nënshtrohet provimit të certifikimit brenda gjashtë muajve nga data e njoftimit. Ndërkohë që, nëse dështon në provim, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen.

“Rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti të ketë kaluar me sukses provimin e certifikimit”, theksohet ndër të tjera në këtë ligj. Ndërkaq, cikli i dytë i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, që ka filluar në 1 janar 2015, do të zgjasë 4 vjet, ndërkohë që numri i krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë kësaj periudhe ka pësuar ulje në krahasim me ciklin e parë.

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, detyrimin për të mbledhur kredite, përveç mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve, do e kenë edhe infermierët, ndihmësfarmacistët dhe mamitë, por për ta cikli ka filluar në datën 1 janar 2016. Brenda një cikli 4- vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët, farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Deri më tani, detyrimi për mjekët ishte 150 kredite, ndërsa për farmacistët dhe stomatologët nga 100 kredite, përgjatë ciklit 5-vjeçar.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: