Komisari i policisë Arjan Tase që aksidentoi dje për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia në breg të detit në Potam, Himarë është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ish-Shërbimi për Çështjet e e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme me akuzën “vrasje e kryer nga pakujdesia”.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Arjan Tase, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprën penale ‘Vrasje e kryer nga pakujdesia’ parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e AMP.

Por çfarë dënimi parashikon neni 85 i Kodit Penal, nëse Tase shpallet fajtor nga Gjykata?
Sipas kësaj akuze, vrasja e kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Neni 85
Neni 85

Ditën e djeshme rreth orës 14:00, Tase, i cili ishte me pushime në Himarë, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, nga Porto Palermo drejt Potamit, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.

Në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, ai ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë në bord, shtetasi Arjan Tase, i cili deri dje ishte Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan dhe u përjashtua nga strukturat e policisë nga kryepolici Gledis Nano pas ngjarjes ka kryer manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, Tase, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

Ndërkohë gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se në skafin e komisarit Arjan Tase grupi hetimor ka gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila ka qenë arma e shërbimit të Arjan Tases, i cili edhe pse ishte pushim e mbante armën me vete.

Sipas AMP, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit. Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetit lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.

Nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime, drejtuesit e strukturave policore:
– Kryekomisar SH.H., me detyrë Drejtor i Drejtorisë dhe Migracionit në DVKM Vlorë;
– Komisar F.M. me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit në DVKM Vlorë;
– Nënkomisar V.LL., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Himarë;
– Nënkomisar N.B., me detyrë Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi;
– Nënkomisar A.D., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Himarë.
Materialet procedurale i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe grupi hetimor i AMP vijon hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të punonjësve të Policisë, të sipërpërmendur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb