Nga: SILVI BARDHI*

Opinioni publik prej javësh po ngacmohet me publikime të videove dhe fotove të shpërndara nga zyra e shtypit e Policisë së Shtetit. Videot selektohen nga kryeredaktori, në këtë rast Sajmir Tahiri, i cili i shpërndan sipas interesave të tij. Në pamje shfaqet e plotë biseda e drejtuesit të automjetit dhe policit në shërbim. Ndonëse fytyra e drejtuesit është e sfumuar, zëri, tipi i makinës, veshja, tapiceria, aksesorët, janë plotësisht të dallueshëm dhe të identifikueshëm për syrin e lirë. Kjo metodë bie në kundërshtim të plotë me mbrojtjen e të dhënave personale, duke cenuar seriozisht të drejtat e njeriut. Ligji shprehet qartë se të dhënat personale përpunohen vetëm: a) nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin. Kështu shprehet ligji mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Pra, nuk kemi informacion nëse drejtuesit e automjeteve, të cilët kanë marrë tashmë famë në media, janë vënë në dijeni paraprakisht se Ministria e Brendshme do të bënte publik këtë “superaksion” mediatik… Rastet janë të shumta, ndërsa vëmendja për reagim duhet ardhur në rritje. Së pari, me dhjetëra shoqata të të drejtave të njeriut janë venitur së ekzistuari menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2013. Zëri i tyre është inekzistent, jo vetëm për sa i përket këtij cenimi flagrant që i bëhet qytetarit shqiptar. Këto shoqata kanë detyrën minimale për të iniciuar një ankesë tek Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, e cila ka përgjegjësinë edhe të vihet në lëvizje. AMA si institucion i pavarur ende nuk ka ngritur zërin për këtë fenomen në rritje. Një hallkë kryesore, përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale, e drejtuar nga një ish-deputet dhe ish-ministër i së majtës, është edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Nuk ekziston ende një qëndrim publik, edhe pse ky institucion është i mbingarkuar me drejtori mbi të drejtën e informimit, mbrojtjen e të dhënave personale, të hetimit administrativ e çështjeve juridike. Derisa këto organe ligjzbatuese të vihen në lëvizje, gjithkush nga ne është i vëzhguar si në “Big Brother”, ndaj kujdes, shteti po të vëzhgon!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb