TIRANE – Mbledhja e komisionit të garancive statutore ka zgjatur 60 minuta në selinë e Partisë Socialiste. Deputetja Arta Dade, Mimoza Hafizi dhe Mark Nikolli kanë parashtruar kërkesat e tyre, të drejtuara këtij komisioni përmes një letre.

Në përfundim të mbledhjes, zonja Dade tha se kanë marrë garanci nga ky komision se do të marrin përgjigje me shkrim për të gjitha kërkesat e tyre.
Sipas zotit Nikolli, komisioni i garancive statutore ka mandat deri në kongresin e 19 marsit.

Pak ditë më parë, deputetja, Arta Dade, një prej eksponenteve kryesore të Partisë Socialiste i kërkoi zyrtarisht kryetarit të Asamblesë Kombëtare të partisë, Gramoz Ruçit që të mbledhë këtë forum para Kongresit të 19 Marsit.

Në letrën e bërë publike, ku ka firmosur edhe deputetja tjetër socialiste, Mimoza Hafizi, kërkohet që në rendin e ditës së Kongresit të shtohen edhe dy pika. E para, të caktohet data e votimeve për kryetar të PS-së me parimin “një anëtar-një votë”. Dhe e dyta, të paraqiten platformat e kandidatëve për kryetar. Dade bëhet kështu deputetja tjetër, në mbështetje të kërkesave dhe platformës së Ben Blushit për të pasur zgjedhje brenda Partisë Socialiste për postin e kryetarit.

“I nderuar kryetar, në vendimin nr.5, datë 18.07.2015 të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, pika 2, është përcaktuar krijimi i Grupit të Punës për ndryshime e përmirësime në Statutin e PS, i cili harton projektin përkatës pas një procesi të gjerë diskutimesh. Në po këtë pikë është përcaktuar se diskutimi i projektit me ndryshime dhe miratimi paraprak të zhvillohen në Asamblenë Kombëtare para Kongresit Zgjedhor dhe projekti të miratohet në Kongresin Zgjedhor”, – e nisin letrën drejtuar Ruçit, dy deputetet e PS-së, Dade e Hafizi. “Ju drejtojmë kërkesën që në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, e cila do të zhvillohet para Kongresit Zgjedhor të partisë sipas vendimit të sipërcituar, të miratohen edhe shtesat vijuese në rendin e ditës së këtij kongresi, të përcaktuar me vendimin nr.7, datë 18.07.2015 të Asamblesë Kombëtare: 1-Përcaktimi i datës së zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PS-së sipas parimit ‘një anëtar, një votë’. 2- Paraqitja e platformës nga kandidatët për kryetar të PS-së”, – vijojnë kërkesën e tyre, Arta Dade e Mimoza Hafizi.

“Ju kërkojmë gjithashtu që të jemi të njohur disa ditë para mbledhjes së kësaj Asambleje Kombëtare, me projektin e propozuar nga Grupi i Punës për ndryshime, me qëllim maksimizimin e kontributeve që dëshirojmë të japim për demokratizimin e jetës së brendshme dhe të funksionimit të PS-së”, mbyllet letra që mban firmat e deputeteve Dade e Hafizi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: