Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi aksionin e paligjshëm të IKMT-së mbi “Prestige Resort” në Golem.

Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo tha se sulmi është shumë i qartë dhe vjen falë vullnetit të kryeministrit Edi Rama për të goditur një media që nuk i bindet kërkesave të tij për të ndryshuar linjën editoriale.

“Këtu është vullneti i qeverisë, vullneti i Edi Ramës për ta shkatërruar atë pronë ashtu siç e pamë. Aty mund të ketë rregullsi ose parregullsi, edhe nëse ka parregullsi shteti nuk e bën këtë në kulmin e sezonit. Këtu është një çështje në thelb politike. Edi Rama ka një problem me pronarët e medias suaj që janë edhe pronarët e “Prestige” dhe ajo që unë dyshoj, ashtu siç ka ndodhur edhe në raste të tjera ka dashur ta vërë në kontroll, pronari nuk i është përgjigjur dhe si pasojë kemi edhe sulm tatimor, edhe sulm ndërtimor, edhe për të marrë godinën nga kushtet e kontratës. Nuk është hera e parë që ndodh”, tha Pollo.

Deputeti i PD nënvizoi se Rama ka tentuar ta japë goditjen e tij në një mënyrë të moderuar, por kjo nuk e fsheh synimin e tij të vërtetë që është media, të cilën nuk e kontrollon dot.

“Duhet korrigjuar linja redaksionale dhe kur has në rezistencë, ai tenton ti jap një tis, një vello jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Me leje, pa leje janë diskutime me vend, por nuk është thelbi. Ky nga sa është bërë publik dhe sa kuptoj unë është përpjekje për të afirmuar autoritetin arbitrar, pra kush është ai që nuk më dëgjon mua. Pra për të vënë kontrollin mbi median që nuk e ka”, deklaroi Pollo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb