Vetëm pak ditë më parë lideri çeçen Ramzan Kadyrov deklaroi se ishte koha për të dhënë dorëheqjen. Megjithatë, me anë të një postimi në Telegram, ai ka bërë me dije se ka ndryshuar mendje dhe se do të qendrojë në pushtet.

“Më thanë që kam 15 vite në detyrë dhe se ndër krerët e rajonit kam qenë më gjatë në pushtet. Mendoj se është vërtet shumë. Më vonë kuptova se nuk ishte një periudhë aq e gjatë, rekordi i mëparshëm ka qenë 27 vjet. Tani vendosa ta thyej atë rekord.

Njerëzit më dhanë besimin për të udhëhequr Çeçeninë. Është detyra ime e shenjtë të justifikoj besimin e tyre. Mund të largohem vetëm nëse ‘më japin leje’ populli dhe presidenti rus. Dorëheqja është diçka që duhet ta shoh në të ardhmen, tani për tani as leje vjetore nuk do të marr”, tha Kadyrov.

Më pas ai komentoi edhe luftën në Ukrainë.

“Unë ju kam thënë tashmë se në këtë moment vendimtar, kur vendi ynë po lufton satanizmin global në Donbas, as autoritetet rajonale dhe as personeli ushtarak nuk mund të shkojnë me pushime. Në fakt, ne kemi një lajm të madh që vjen nga Donetsk. Trupat tona po pushtojnë territore të reja. Unë premtoj se së shpejti do të merrni një lajm të mirë”, tha lideri çeçen.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb