Ndryshe nga Butrinti, Zona arkeologjike e Durrësit që përfshin edhe Amfiteatrin do të menaxhohet nga shteti. Ka qenë kjo deklarata e ministres së kulturës në dëgjesën publike për planin e menaxhimit në Durrës

Në dëgjesën publike me grupet e interesit për Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B në Durrës, ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se ekspertët kanë sugjeruar që plani i menaxhimit të vihet në jetë nga shteti e jo nga privati.

“Ky plan menaxhimi, do të mund të vendosej në jetë shumë mirë përmes vetë qendrës muzeore Durrës e cila që mund të marrë trajtë më të zhdërvjellët me krijimin e një fondacioni brenda saj, që të menaxhojë jo vetëm amfiteatrin e muzeun arkeologjik por shumë më tepër pika në qytet. Për herë të parë studiojmë mënyrën se si vetë shteti mund të krijojë struktura më të zhdërvjellta dhe ky është rasti që na sugjerohet për Durrësin”, tha ministrja.

Plani i menaxhimit i hartuar nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit (AADF) është hedhur për diskutim publik prej mëse një muaji dhe pritet të miratohet së shpejti nga qeveria.

Ndërsa miratohet një rregullore e re për Durrësin 3 mijë vjeçar, shqetësimi i banorëve janë shtëpitë që do shemben rreth amfiteatrit, për çka foli kryetarja e bashkisë.

“Projekti do të zhvillohet me 5 faza dhe gjatë fazës së parë të tij do të preken 12 familje, lista me emrat e të cilëve dhe vlerat e dëmshpërblimeve përkatëse do të publikohen së shpejti, ndërsa në total nga projekti pritet të preken 80 godina”, u shpreh kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.

Plani shtrihet në 3 faza që shkojnë deri në 7 vite, duke përfshirë shembje godinash në zonën A dhe restaurim në zonën B. Arkitekti Rand Eppich, që bëri një zbërthim teknik të planit të hartuar nga AADF, tha se sitet e trashëgimisë kulturore të Durrësit, duhet të lidhen me njëra tjetrën.

Ndërsa ministrja u ndal te kompleksiteti i gjetjeve arkeologjike në zona të banuara.

Plani synon një vizion për të ardhmen në një qytet ku shtresëzimet kulturore janë njëri mbi tjetrin.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: