* “Parku tek liqeni”, duhet një raport transparent me qytetarët, për çdo vendim që ka të bëjë me hapësirat publike
* Byroja e Hetimit? Me rëndësi të jetë efikase dhe të arrijë qëllimet, jemi për çdo zgjidhje
TIRANE- Kreu i Kuvendit Ilir Meta bëri të ditur edhe njëherë qëndrimin e forcës politike që drejton, LSI-së për reformën në drejtësi. Sipas tij, LSI do japë kontributin e saj maksimal nuk çedon në këtë drejtim, ndërsa kërkon respektimin e standardeve dhe rekomandimeve të Venecias, si dhe leximin e tyre me racionalitet dhe përgjegjshmëri.
“Të gjithë kanë shprehur mendimet e tyre. në këtë kuadër jam i bindur që të gjithë duhet të punojnë për ta përfunduar me sukses miratimin e paketës kushtetuese për reformën e drejtësisë. Baza e konsensusit është shumë e gjerë, buron nga vullneti i më shumë se 90% e shqiptarëve për të shkundur sistemin e drejtësisë përmes një reforme të thellë. Të gjithë vlerësojnë raportin e Venecias si bazë referimi dhe çertifikimit të standardeve më të mira evropiane. Duhet më shumë vullnet për të qenë më racional, të bëjmë një interpretim objektiv të rekomandimeve të Venecias, kemi ende kohë, besoj se vullneti është i plotë për ta përmbushur këtë”,- tha Meta.
Meta tha se deri më tani ka 90% konsensus për këtë reformë, si dhe la të hapur mundësinë e një takimi mes tij Ramës e Bashës për dakordësi të plotë për këtë reformë.
Në lidhje me kushtet e PD, Meta shtoi: “Nuk janë 11 kushte, kemi të bëjmë me 10 çështje që PD synon që të zgjidhen apo diskutohen sipas këndvështrimit që ajo ka. Do të thotë se me më shumë durim dhe vullnet është tërësisht e mundur që reforma të përmbyllet pasi për çdo çështje kemi një rekomandim të Venecias, për çdo çështje që ndajnë lexime të ndryshme. Për ata që prisnin të përfundonte reforma dje, ne dimë që ka qënë mbledhja e parë pas ardhjes së opinionit përfundimtar të Venecias. Për ‘90 të paketës së reformës ka një dakordësim, kanë mbetur disa çështje që duhen lexuar me objektivitet funksional. Përgjegjësia për ta sjellë reformën në Kuvend është e komisionit të reformës”,- tha Meta.
Më tej kreu i LSI-së shtoi se: “Qëndrimi i LSI është që kjo reformë duhet të përmbyllet sa më shpejt duke respektuar rekomandimet dhe standardet e Venecias, të ketë m vullneti për të lexuar me racionalitet dhe pëgjegjshmëri rekomandimet e Venecias. Nuk përjashtojmë asnjë mundësi që ndihmon për të forcuar klimën e mirëbesimit që formëson vullnetin për ta mbyllur këtë reformë sa më parë. Natyrisht mund të kërkojmë dhe ndihmën e misionit EURALIUS apo edhe të OPDAT. I kemi të gjitha mundësitë për të arritur konsensus. LSI është e hapur për të dhënë kontributin e saj në përmbylljen sa më shpejt të këtij procesi. LSI nuk çedon në këtë reformë, ajo duhet bërë sepse nuk ka alternativë tjetër përveç realizimit të saj”.
Meta tha se angazhimi i ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin është konstruktiv dhe ndihmues për një klimë besimi.
Parku i liqenit
Kreu i Kuvendit iu përgjigj interesave edhe për konfliktin mes Bashkisë dhe shoqërisë civile për parkun e lojërave tek liqeni. Meta tha se duhet transparencë për çdo vendim që ka të bëjë me hapësirat publike.
“Do të ishte më mirë për këtë çështje të pyesnit përfaqësuesit e LSI në këshillin bashkiak. Duhet një raport i hapur transparent në raport me qytetarët, komunitetin dhe opinionin për çdo vendim që ka të bëjë me hapësirat publike. Dihet që është krijuar një ndjeshmëri e madhe për shkak të dëmeve të së kaluarës, por edhe ndihmon për të mos lënë vend për ata që duan të spekulojnë”, theksoi Meta.
Byroja Kombëtare e Hetimit
Kreu i Kuvendit, njëherazi kreu i LSI-së ka folur edhe për deklaratat e deputetit Spartak Braho, të cilin e ka quajtur rebel. Braho u shpreh dje në komisionin për reformën në drejtësi se Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të jetë e shkëputur nga policia, duke dalë kundër maxhorancës. Meta tha se komenti i Brahos ka qenë i tepërt.
“Zoti Braho ka votuar që Byroja Kombëtare e Hetimit të jetë në varësinë e policisë. Ligji kishte në konsideratë këtë lloj varësie kryesisht. Mendoj që ky ka qenë një koment i tepërt. Për ne nuk është e rëndësishme aspak si LSI varësia e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për ne e rëndësishme që kudo që të vendoset të jetë funksionale, efikase dhe të realizojë qëllimet për të cilat krijohet dhe në këtë drejtim mbështesim çdo zgjidhje. Nuk është hera e parë që zoti Braho rebelohet”, ka përfunduar Meta.
(ma.ar/BalkanWeb)
