Koreja e Veriut mbështeti Rusinë dhe vendimin e katër rajoneve separatiste ukrainase për t’iu bashkuar Rusisë.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha se ata respektojnë vullnetin e njerëzve që duan të bashkohen me Rusinë.

“Referendumet u mbajtën në përputhje me Kartën e OKB-së që përcakton parimet e barazisë së popujve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje dhe sipas metodave dhe procedurave legjitime në mënyrë që vullneti i banorëve të dy republikave dhe të dy rajoneve të mund të të reflektohet plotësisht”, tha Jo Chol Su, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Organizatës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut.

“Një shumicë dërrmuese e votuesve mbështetën integrimin në Rusi”, tha Jo në një deklaratë, të publikuar nga Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve.

Më 23-27 shtator, rajonet separatiste ukrainase Donetsk dhe Luhansk dhe pjesët e kontrolluara nga Rusia të rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson mbajtën referendume për bashkimin me Rusinë.

Referendumet janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa kombet evropiane dhe SHBA i quajtën referendumet “mashtrim” dhe thonë se ato nuk do të njihen.

Zyrtari i Koresë së Veriut kritikoi gjithashtu rezolutën e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndaj së cilës Rusia vuri veto dhe tha se Washingtoni “ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të pavarura dhe shkel të drejtat e tyre ligjore duke abuzuar me KS të OKB-së”.

“Ky është i njëjti mashtrim i vjetër i SHBA-së dhe bota ka dëshmuar shumë akte të ngjashme të paligjshme të SHBA-së jo vetëm në shekullin e 20-të, por edhe në shekullin e 21-të”, tha Jo.

“SHBA-ja nisi luftërat e agresionit kundër shteteve sovrane, duke përfshirë ish-Jugosllavinë, Afganistanin dhe Irakun, por SHBA-ja nuk është vënë në pikëpyetje nga KS-ja”, shtoi zyrtari.

Pheniani ka lidhje të ngushta me Moskën dhe Pekinin. Në maj, të dy vendet vendosën veton ndaj një rezolute të mbështetur nga SHBA kundër Koresë së Veriut në KS për të vendosur më shumë sanksione pasi ajo lëshoi raketën e saj më të avancuar balistike ndërkontinentale.

“Nëse KS i OKB-së do të shkelë të drejtat e pavarura dhe interesat themelore të një shteti sovran me standardet e dyfishta të palogjikshme dhe gangsterike që bien ndesh me qëllimin dhe parimin e Kartës së OKB-së, ajo do të jetë plotësisht përgjegjëse për pasojat që do të shkaktohen”, përfundoi Jo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb