Zyra e Koordinimit të Çështjeve Humanitare të Kombeve të Bashkuara (OCHA) raportoi se 5,7 milionë persona të prekur nga përmbytjet në Pakistan janë në rrezik të krizës ushqimore.

Në raportin e OCHA-s thuhet se fatkeqësia e përmbytjeve në Pakistan do të rrisë pasigurinë ushqimore dhe 5,7 milionë njerëz që jetojnë në zonat e prekura nga përmbytjet do të rrezikohen nga kriza ushqimore në tetor dhe nëntor.

Në raport theksohet se sëmundjet që transmetohen nga uji u shtuan në provincat Sindh dhe Balochistan dhe se 130.000 gra shtatzëna që jetonin në kampe të përkohshme kishin nevojë për kujdes shëndetësor urgjent.

Shumë vende dhe agjenci të OKB-së dërguan më shumë se 131 avionë me ndihma në Pakistan, i cili u prek nga përmbytjet. Megjithatë, të prekurit nga përmbytjet raportojnë se kanë marrë pak ose aspak ndihmë dhe janë ende në pritje të ndihmës.

Qeveria e Islamabadit, nga ana tjetër, thekson se nuk ka shqetësim të menjëhershëm për furnizimin me ushqime.

Që nga 14 qershori, në Pakistan 1.695 njerëz humbën jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga shirat muson. Qindra mijëra njerëz të zhvendosur jetojnë në kampe në vend, ku më shumë se 2 milionë shtëpi janë dëmtuar nga përmbytjet.

Qeveria e Pakistanit deklaroi se kostoja e fatkeqësisë së përmbytjeve për vendin është 30 miliardë dollarë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb