TIRANE – Ish-shoqëruesi i Sali Berishës, Izet Haxhia ka rrëfyer se si u dogj gazeta më e madhe në vitet ’90, me urdhër të ish-Presidentit të asaj kohe dhe se kush ishin personat që drejtuan sulmin. Ja çfarë shkruan Izet Haxhia në faqen e tij në “Facebook”.

STATUSI I PLOTE
Meqë sot është 9 Marsi, që mbahet mend si dita e marrëveshjes së krijimit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, por që në të vërtetë është marrëveshje që futi Shqipërinë në kaos dhe nën drejtimin e bandave shtetërore dhe atyre të rrugës që ishin në koordinim e bashkëpunim të plotë me njëra tjetrën, në grabitjen, plaçkitjen dhe cënimin e jetës dhe lirisë së qytetarëve të pambrojtur…

Pasojat e kësaj marrëveshje të krimit ndihen edhe sot e kësaj dite në vendin tonë, kjo marrëveshje solli konsolidimin e shumë bandave të krimit shtetëror, disa prej të cilave i eleminuan në luftën e egër për territore e supremaci dhe disa të tjera vazhduan karrierën kriminale duke ndërruar pronarë sipas pushtetit dhe vazhdojnë akoma edhe sot më të fuqishme se kurrë në veprimtarinë e tyre mafioze e kriminale të lidhura me sferat e larta të politikës dhe me nder me thënë të së ashtequajturës drejtësi …por do sqaroj një ngjarje që është përfolur shumë, sepse është sulmi më i rëndë terrorist që i është bërë shtypit të lirë në Shqipëri gjatë këtyre 25 viteve të tranzicionit të pafund.

E kam fjalën per djegien e gazetës së parë opozitare ndaj një diktatori të ri që po përvijohej në politikën shqiptare, Berishen dhe këtë opozite po e kryente gazeta “Koha Jonë”, e cila ra pre e hakmarrjes primitive te shtetit dhe veglave te tij te bindura. Opozita e kësaj gazete ndaj Berishës, e filluar qe ne krijimin e saj ne 91 me intervisten e Frrok Çupit, ku akuzonte Berishën si diktatori që vazhdoi ne vitet e sundimit te Sulltanit të parë dhe kulmin e saj e arriti me editorialin po të Frrok Çupit, shkruar nga Vlora, por që ishte po ky Frrok Çupi, që se bashku me pronarin e kësaj gazete, Nikollë Lesi, vite me vonë u futen në stanin e Berishës tashmë kryeministër, të atij Berishe që dikur i kishte djegur e përcëlluar me seli e kompjutera bashkë, i kishte futur në listat e vdekjes në atë mars të 97-ës. Nuk çuditem nga asgjë që ndodh në politikën kriminale shqiptare, as ky kapërcim ylberi i këtyre të dyve si shumë të tjerëve.

Ti rikthehem asaj ngjarje që lidh natën e dy marsit me tre marsin. Pasi Sulltan Berisha i dytë ishte zgjedhur me unanimitet të plotë nga parlamenti i dalë nga zgjedhjet më të ‘lira’ e ‘të ndershme ‘ në historinë e pluralizmit, puna e parë që bëri ishte të ndëshkonte gazetën “Koha Jonë”.

U thirr me urgjence ne presidencë gjenerali i sapo graduar Gazidede dhe u ngarkua nga Padishahu t’i jepte një mësim të mirë këtyre të kuqve të gazetës “Koha Jonë” që kishin nxitur rebelimin e kuq në Jug. Atë pasdite të trazuar kishte filluar nën drejtimin e Shabës shpërndarja e armëve të dhëna nga Shik-u për militantët e PD-së.
Si duket partia jonë nuk e kishte emrin demokratike, por Nacional Socialiste…

Aty nga ora dy e natës një grup shiks-ash, që ishin në drejtim të kësaj ekspedite ndëshkuese të përbëre edhe nga rekrutët e sapo armatosur të Shabës dhe pjesëtarë të policisë rrethuan e sulmuan këtë gazetë.

E kam ndjekur ne distancë këtë akt vandal sepse nuk duhej të dukesha pasi ngaqë njihesha e kompromentoja këtë veprim terrorist edhe pse me thënë të drejtën duart më hanin për ta shkatërruar këtë fole ‘armiqsh’ të popullit. Në të vërtetë ne po tregonim se ishim armiqtë e media së lirë. Operacioni drejtohej nga shefi i grupit operativ të Shik-ut, Arjan Çengo dhe oficeri i policisë me origjine nga Tropoja Bajram Hajdarmeta, shok i oficerit të mëvonshëm dhe “yllit” të Berishes, Agron Kuliçi, vëllai i eksponentit, të PD-së dhe spiunit personal të Berishës Sami Metalia si edhe shumë efektivë të tjerë.

Fitorja u arrit shpejt! Gazeta “Koha Jonë” kishte përfunduar e djegur, e shkrumbuar per t’ja mbyllur zërin për disa kohë…

Na prisnin akoma beteja të reja në shërbim të Sulltanit blu, ‘mik’ i ngushtë i shtypit te lire …

(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: