Ivan Perishiç ka qenë sot një dëshmitar në gjyqin që po zhvillohet në Milano ku Uanda Nara dhe Mauro Ikardi kanë bërë kallëzim penal për Fabricio Koronën. Gazetari i gossip në Itali kishte bërë të ditur në vitin 2019 se çifti ishte pranë ndarjes si pasojë e një historie mes Uanda Narës dhe Marcelo Brozoviç.
Një histori që ka qarkulluar gjatë në media dhe në rrjetet sociale me Uanda Narën që vendosi t’i drejtohej gjykatës duke akuzuar Fabricio Koronën për shpifje. Perishiç, i thirrur si person në dijeni të fakteve, duhej të dëshmonte sot, por nuk është paraqitur në gjykatë. Arsyeja ishte se Totenhemi luan sot në Ligën e Kampioneve dhe kroati as që kishte ndër mend të humbte kohën me një ngjarje të tillë edhe pse bëhej fjalë për thirrje nga gjykata. Refuzimi i ka sjellë atij një gjobë prej 500 eurosh si dhe paralajmërimin që nëse nuk paraqitej në seancën e radhës, do të kërkohej shoqërimi i tij për të dhënë dëshminë.
Por jo vetëm ai. Edhe vetë Mauro Ikardi, i cili është pala akuzuese, nuk është paraqitur në gjyqin e sotëm. Avokati i tij ka shpjeguar se për momentin, nuk ka një adresë fikse për të regjistruar klientin i cili gjendet në Turqi ku aktivizohet me Gallatasarajin. Gjykatësja e çështjes ka bërë të qartë se në raste se Ikardi nuk paraqitet as në seancën e radhës më 25 janar, do të vlerësohet se heq dorë nga kallëzimi që ka bërë.PanoramaSport
