Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka propozuar që të mbahet një referendum mbi mbajtjen e shamive nga gratë, në institucione apo shkolla.
Reagimi i tij erdhi si përgjigje ndaj kreut të opozitës, Kemal Kiliçdaroglu. Erdogan është një mysliman i devotshëm, por kreu i opozitës drejton CHP laike, një parti e themeluar nga themeluesi i republikës laike moderne turke, Mustafa Kemal Ataturk.
“Nëse keni guximin, ejani, le ta vendosim këtë çështje në një referendum. Lëreni kombin të marrë vendimin,” tha Erdogan.
Kreu i CHP-së kishte propozuar një ligj për të garantuar të drejtën për të mbajtur shami në institucione, për të lehtësuar çdo frikë se partia e tij do të rivendoste ndalimin nëse vjen në pushtet.
Shamia ishte në qendër të debateve në vitet 1990, por asnjë parti sot nuk propozon një ndalim në Turqinë me shumicë myslimane.
Por nuk mungoi reagimi i kreut të opozitës, i cili e refuzoi Erdoganin, raporton “Daily Sabah”
“Përkrahni projektligjin tonë. Për cilin referendum e keni fjalën? Po tani, po përpiqesh të sillesh si një (Victor) Orban i rremë? Nëse nuk ikni, ne mund ta zgjidhim këtë çështje”, tha kryetari i CHP-së në Twitter.
(BalkanWeb)
