TIRANË

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është ndalur gjerësisht sot në prezantimin e programit ekonomik dhe objektivin e kësaj force për rritjen e të ardhurave.

“Ky objektiv i rritjes së të ardhurave do të arrihet:
1. Ndërtimin e një sistemi fiskal gjithëpërfshirës dhe të drejtë për të siguruar që të gjithë paguajnë një barrë të drejtë tatimore sipas parimit që ai që fiton më shumë, paguan më shumë.

2. Sistemi fiskal pa diferencime dhe pa përjashtime jo standarde do të lejojë funksionimin e tregut me rregulla dhe do të gjenerojë të ardhura suplementare.

3. Një sistem fiskal me një numër sa më të vogël të taksave dhe të jetë i qëndrueshëm për të ulur kostot dhe rritur investimet e biznesit.

4. Rivendosjen e taksimit të sheshtë dhe ulur shkallet tatimore me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe të përmirësimit të administrimit fiskal.

5. Ulja e informalitetit në ekonomi në të gjitha format dhe veçanërisht të punësimit do të jetë prioriteti ynë për të rritur të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të ardhurave personale.
6. Mirëpresim në menaxhimin e borxhit publik dhe uljen e kostos së shërbimit të tij.

7. Rishikim ligjor te kontratave te Koncesioneve dhe PPP-ve, me auditim ndërkombëtar.
8. Konfiskimin e aseteve te krijuara nëpërmjet veprimtarive korruptive e kriminale, si incerenatorët, etj”, deklaroi Meta

Ai theksoi se “ne do të thyejmë monopolet për të çliruar ekonominë, sipërmarrjen dhe tregun e lire, për të rritur konkurrencën dhe thithur investimet e huaja”.

“Ne do t’i japim fund koncesioneve korruptive të inceneratoreve apo çdo kontrate tjetër që fut dorën në arkën e shtetit për ta përvetësuar ne xhepin e vet.
Partia e Lirisë do të garantojë realisht hapjen e tregut kundër monopolizimit dhe oligopolizimit aktual të tij, për krijimin e një ekonomie konkurruese dhe mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimi me çmimet.
Do të konfiskojmë asetet e krijuara nëpërmjet veprimtarive korruptive dhe kriminale, si inceneratorët dhe të tjera si këto, e me këto para do të mbështesim financiarisht arsimin, punësimin e rinisë dhe familjet e reja”, u shpreh Meta.

Kreu i PL ka shtuar se një pjesë e rëndësishme për këtë parti është ndihma e familjeve në nevojë dhe mbështetja e gruas dhe familjes.

“Partia e Lirisë ka propozime konkrete për përkujdesjen ndaj shtresave në nevojë.

Ne do të mbështesim familjet që gjenden sot në një vështirësi ekstreme ekonomike duke ngritur në nivel dinjitoz ndihmën ekonomike ndaj tyre, për të realizuar daljen e tyre nga varfëria.

Vetëm për shkak të Rilindjes dhe politikës së saj të pashpirt, Shqiptarët janë gjetur të vetëm, e të pandihmuar përballë krizave të njëpasnjëshme, si ajo e pandemisë, kriza ekonomike, kriza energjetike, ndërkohë, që të gjitha vendet e rajonit, kanë dhënë mbështetje shumë serioze financiare qytetarëve të tyre.

Vetëm së fundmi, Qeveria e Kosovës për të zbutur efektet e inflacionit, po u jep nga 100 euro shtese, në muaj, pensionistëve dhe studentëve.
Një kauzë madhore e Partisë së Lirisë mbetet mbështetja e gruas dhe familjes.

Ne do të mbështesim gratë kryefamiljare me politika sociale dhe do të fuqizojmë ekonomikisht gruan, përmes nxitjes së Start-Upeve nga vajzat dhe gratë, duke i stimuluar me grante.

Familjeve të reja do ti sigurojmë strehim me kredi të buta, ndërkohë ne propozojmë rritje progresive të bonuseve për fëmijën e dytë dhe të tretë, si një politike për të nxitur lindshmërinë.

Mbështetja e kësaj politike është jetike dhe shpëtimtare për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: