Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, u shpreh se Për Partinë e Lirisë, një prioritet imediat është krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në Shqipëri.

Në fjalën e tij nga Konventa Kombëtare e PL, Meta tha se kjo parti propozon një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e këtyre zonave.

“Për Partinë e Lirisë, një prioritet imediat është krijimi i Zonave të Lira Ekonomike në Shqipëri. Shqipëria duhet të kthehet në qendrën rajonale të industrisë prodhuese dhe manifakturës në Europë.
Prandaj ne propozojmë një sistem fiskal dhe doganor favorizues për krijimin e zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, me potencialin për të thithur investitorë të huaj serioz dhe të fuqishëm.
Sot për shkak të mungesës së një strategjie dhe politikës industriale, ne po humbasim tregjet europiane, e ndërkohë që duhet të ishim liderë të Ballkanit në këtë aspekt.
Prej më shumë se një dekade, Maqedonia e Veriut, është një shembull shumë i suksesshëm në këtë drejtim.
Në katalogun e “Invest in Macedonia”, ftesa që u bëhet investitorëve, është që ata të investojnë atje, sepse porti i Durrësit është vetëm 200 km larg. Ndërsa Shqipëria që e ka Portin e Durrësit, nuk ka asnjë Zonë të Lirë Ekonomike.
Këto pra janë shanse të humbura për Shqipërinë, vende punë të humbura, eksporte të humbura, zhvillim ekonomik i munguar, varfëri dhe dëshpërim që detyron të rinjtë shqiptarë të ikin nga vendi”, tha Meta.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: