TIRANE-“Rama dhe Fevziu bënë një lloj teatri bashkë, se askush nuk pyet kush ia ka dhënë Fevziut ato 3,4,5 lejet e ndërtimit për pallate, të cilat dihet që ia ka dhënë Rama e jo Berisha”. Kështu është shprehur në emisionin ‘Oktapod’ të Turjan Hyskës, analisti Fatos Lubonja. Sipas tij, media bën pjesë lidhëse në “ngrehinën” shoqërore që kanë ngritur qëllimisht, e nuk është “ndërtesë” më vete që do i kundërvihej politikës.

Lubonja përdori tone të ashpra për kryeministrin Rama, duke e cilësuar të dhunshme qeverisjen e tij. Për aktivistin e shoqërisë civile, Rama po ushtron dhunë fizike, psikologjike dhe vizuale, me shtimin kudo të prezencës së policisë. Sipas tij, dhuna tregon pafuqi qeverisjeje. Por për analistin, dhuna të ikën nga duart dhe krijon pasoja. Lubonja theksoi se Rama nuk duhet të kërkojë vetëm varrin e shoqërisë civile, por edhe vrasësin dhe varrmihësin e tij. Sipas tij, politika sot po shet dhe ble me ekonominë informale dhe kriminale, cka sipas tij, bën që në Kuvend të mos ketë vetëm 19 kriminelë sic thotë opozita, por edhe shumë të tjerë që kanë pushtet ekonomik. Lubonja nuk sheh shumë rrugë zgjidhjeje për Shqipërinë, duke mos e përjashtuar që “tuneli të bjerë mbi kokën e shqiptarëve” edhe njëherë akoma. Sipas Fatos Lubonjës, shoqëria civile duhet të rezistojë, sepse nuk ka shpresë tjetër.

“Idiot” e quan analisti projektin për Bulevardin, duke theksuar se Tirana duhet të ndalojë çimentizimin, pasi projektet duhet të bëhen ku ndodhet komuniteti dhe jo, duke goditur komunitetin. Lidhur me mundësinë e “përfitimit” politik të Lulëzim Bashës, Lubonja thotë se që të evidentohet, Basha duhet të vrasë sa më shpejt “berishizmin”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: