Italia publikon sot listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore ndaj Shqipërisë dhe Austrisë, teksa në mediat italiane ka nisur të përhapet lajmi se ylli i Romës, Nicolo Zaniolo, ka kërkuar që të mos jetë i pranishëm në këto dy sfida.

Raportohet se lojtari ka dashur të bëjë pushim në ndeshjet e nëntorit që të rikuperohet dhe kështu, i ka kërkuar trajnerit Mancini që të mos e marrë në konsideratë për ndeshjet që fillojnë me udhëtimin drejt Tiranës.

Por vetë lojtari ka dashur të sqarojë se nuk ka refuzuar kombëtaren italiane. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai ka theksuar se nuk i kishte shkuar ndër mend ndonjëherë që të refuzonte ftesën nga përfaqësuesja, thjesht kishte qenë i shqetësuar për shkak të situatës së tij shëndetësore.

“Në këto javë më është dashur të përballem me një goditje që pësova në Verona dhe një hematomë që nuk më lejoi të jem në 100% të gjendjes time. Por përtej kësaj, jam munduar gjithmonë që të shtrëngoj dhëmbët dhe të vihem në dispozicion të trajnerit dhe të shokëve të mi të skuadrës.

Por ndërkohë, më erdhi keq që lexova që nuk do të isha në dispozicion të kombëtares. Si gjithmonë, do të respektoj zgjedhjet e trajnerit Mancini, por nuk kam menduar asnjëherë që të kursehem dhe të mos i përgjigjem një thirrje të mundshme”, shkruante Zaniolo në shpjegimin e tij publik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb