Drejtori i CIA-s, Bill Burns po zhvillon një takim me homologun e tij të inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin, në Ankara këtë të hënë. Ky takim vjen si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme të SHBA-së për të “komunikuar me Rusinë mbi menaxhimin e rrezikut” dhe për të diskutuar rastet e “qytetarëve amerikanë të arrestuar padrejtësisht”.
Kështu konfirmoi për CNN zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Ne kemi qenë shumë të hapur për faktin se kemi kanale për të komunikuar me Rusinë për menaxhimin e rrezikut, veçanërisht të rrezikut bërthamor dhe rreziqeve për stabilitetin strategjik. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Bill Burns është sot në Ankara për t’u takuar me homologun e tij të inteligjencës ruse.”, tha zëdhënësi. CNN ka raportuar më parë se këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan ka qenë gjithashtu në kontakt me homologët e tij rusë për t’i paralajmëruar ata për pasojat nëse Rusia përdor një armë bërthamore në Ukrainë.
Zëdhënësi theksoi se “Burns nuk po zhvillon negociata të asnjë lloji”.
“Ai nuk po diskuton zgjidhjen e luftës në Ukrainë. Ai po përcjell një mesazh për pasojat e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia dhe rreziqet e përshkallëzimit të stabilitetit strategjik. Burns gjithashtu do të ngrejë çështjet e shtetasve amerikanë të arrestuar padrejtësisht”. Zëdhënësi shtoi se SHBA e informoi Ukrainën për takimin përpara udhëtimit të Burns.
(BalkanWeb)
