TIRANE– Gjatë aktiviteteve për Ditën e Verës, kryebashkiaku është pyetur edhe në lidhje me fanellën e Tiranës, ku ka sqaruar se ka kërkuar që gjatë kësaj jave të bëhet mbledhja e aksionerëve.
“Këtë javë besoj, i kam kërkuar mazhorancës së aksionerëve që të bëjnë një mbledhje. Unë nuk e kam për herë të parë që drejtoj kompani publike. Instituti i Sigurimeve Shoqërore është kompania më e madhe publike, arritëm ta nxjerrim rentabël. Ujësjellës-kanalizimet për herë të parë do t’i nxjerrim me fitim këtë vit. Unë jam mazhorancë në ujësjellëskanalizimet e Tiranës. Në minorancë kam kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun dhe Fiqiriun e Vorës. Fakti që nuk biem dakord politikisht nuk më pengon të menaxhoj një kompani efiçente. Kështu që argumenti që kam bërë edhe për Tiranën është që ata që kanë shumicën, duhet të thërrasin pakicën, e cila është Bashkia e Tiranës, në një mbledhje të aksionerëve dhe duhet të bëjmë një bilanc se si shpenzohen paratë. Ne nuk mund të bëjmë blerje të çmendura. Në Shqipëri e kemi të bukur fjalën ‘duhet t’i shtrimë këmbët sa kemi jorganin'”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.
(BalkanWeb)
