DIVJAKË

Banorët e Divjakës janë shprehur të indinjuar për vendosjen e një trau me pagesë në hyrje të parkut kombëtar. Ata kanë deklaruar se nuk do lejohet pasi është një poshtërim për ta.

Banorët u shprehën se po bllokohet pa shkak dhe se qëllimi është t’i largojnë nga vendi.

“Për të ikur ky popull që këtu të dalë një përfaqësues i bashkisë dhe të thotë nuk kemi dorë. Edhe gjatë beharit janë paguar taksat. Çfarë takse do qeveria kur e di që popullin e ka fukara”.

“Jemi mbledhur, dita e tretë e protestës dhe do vazhdojmë për një padrejtësi që është vendosur në hyrje të parkut kombëtar të Divjakës. Këtu vriten nga ana shpirtërore shumë njerëz. T’u bllokosh rrugën pa shkak dhe të mbledhësh forca policore pa fund e të lënë detyrën. Ky është një poshtërim që i bëhet popullit. Duan ta mërzisin këtë popull.

 

Nga ana ekonomike është një taksë e pavend. Kjo taksë që pretendohet sepse unë do isha dakord me çdo shërbim që ofron parku i Divjakës, kulla etj, por jo të bllokojnë rrugën. Duan të na largojnë nga ky vend”.

“Kjo është një vjedhje. Kanë kaq kohë që mbledhin lekë dhe nuk kanë bërë asnjë lloj investimi në plazhin e Divjakës”.

Deputetja e PD-së Ilda Dhori, e cila ka qenë pranë banorëve tha se aktualisht numri i banorëve që protestojnë është reduktuar, por jo numri i policëve.

“Ka rënë intensiteti i numrit të qytetarëve të pranishëm, por jo i forcave policore. Nuk është më ai numër që ishte në orët e mëparshme. Fakti që u arrit hapja e rrugës… por do të jemi përsëri këtu”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb