Në fjalën e saj në Kuvend Jorida Tabaku ka reaguar ashpër ndërsa u shpreh se sharjet dhe sulmet mes tyre i japin argumen kundërshtarit.
“Një muaj më parë në emër të grupit parlamentar të PD bëmë një kërkesë për të diskutuar për raportin e e fundit të progresit që në fakt i mungoi debati në sallën e parlamentit. Për shumë gjëra mungon debati në sallën e parlamentit, për shumë gjëra nuk flitet. Shumë dashnorë të integrimti e nga të gjitha krahët e politikës mungojnë, mbyllin gojën, nuk flasin atëherë kur duhet folur . Unë po bëj një përpjekje titanike që të zhvilloj mbledhjen e Komisionit të Integrimit, por kolegë dhe deputetë nuk marrin pjesë në mbledhjet e komisionit të integrimit. E kam të pamundur dhe e vetme të përballem me maxhorancën, ku edhe me argumente absurde mbrojnë qeverinë, mbrojnë çdolloj gjejë. Nuk me tremb fare. Ashtu kam bëre edhe për inceneratorët qe nga viti 2016 kundër këtij sulmi edhe nga brenda edhe nga jashtë. Teksa dëgjoja debatin mu kujtuan disa vargje të Hamletit “M’ e lartë është vallë të durosh. Hobe, shigjeta fati të tërbuar. A të përballsh një det të turbull helmesh”. Helme dëgjomë përditë në politikë. Helme që përpiqen të mbulojnë të vërtetën. Helme që përpiqen të helmojnë ata që kanë qëndruehsmëri.”, tha Tabaku.
Fjala e plote:
Ta ndërtojmë Europën këtu,.
Në 6 dhjetor të këtij viti, Shqipëria do të mirëpresë samitin e radhës BE- Ballkani Perëndimor që kësaj here do të zhvillohet në Shqipëri.
Një lajm i mirë që unë e para e kam përshëndetur dhe kam kërkuar qeverisë shqiptare ta shfrytëzojë mirë këtë mundësi, jo për protagonizëm individual, as për të kërkuar e lypur si është bërë e udhës por për të vazhduar për të folur për Shqipërinë e çfarë duhet të bëjmë në rrugën e gjatë që kemi përpara.
Sot çështja e integrimit të BP nuk është më një çështje rutinë por është kthyer në një çështje sigurie dhe një çështje strategjike për rajonin tonë dhe ky vendim qartësisht tregon vullnetin e qartë politik dhe strategjik që BE ka jo vetëm ndaj rajonit por mbi të gjitha ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Pyetja është a jemi ne gati?
A jemi gati ne në lidhje me pritshmëritë që ka procesi i integrimit dhe frymës, dëshirës dhe përpjekjes për të përshpejtuar këtë proces të një rëndësie jetike për vendin?!
Prej kohësh vërej se qeveria shpreh një mërzi të tepruar karshi procesit të Integrimit Europian. Një ftohje e cila shprehet qartazi në çdo ankesë të tepruar dhe tërësisht të pajustifikuar karshi BE-së për disa raste sporadike ndërkohë që nënvlerëson thuajse çdo kërkesë thelbësore të BE-së dhe Komisionit Europian.
Ne nuk flasim më për reforma, nuk flasim më se çfarë duhet kryer por jemi kyçur prej kohësh në një diskutim shterpë që nis dhe përfundon me justifikimin “fajin e ka Evropa”!
Sa herë që del raporti dëgjoj rreshtin e gjatë të ministrave që deklaron është bërë shumë, do bëjmë më shumë, kemi ecur mjaftueshëm. Megjithëse e vërteta është aty ashtu siç e thotë raporti, në mos më keq.
Por ne i dëgjojmë me justifikime kur në fakt si dëgjon kurrë të flasin çfarë po bëjnë aktualisht për t’i zgjidhur problemet? Si do bëhet ndryshe? Si do ta kthejmë këtë rrugëtim në një proces kombëtar? Si do ti mbajmë të rinjtë të jetojnë e punojnë këtu?
Ky nuk është një spektakël propagandistik por një proces që i shërben dhe duhet t’i shërbejë qytetarëve.
Shqiptarët, vazhdojnë ende të kenë besueshmëri dhe dëshirë për të vazhduar këtë proces dhe kanë besim të lartë në Bashkimin Europian. Në mundësitë, vlerat, parimet, oportunitetet që ofron ky bashkim që bazohet mbi parimin e dialogut me të kundërtën për të shkuar përpara.
Një pjesë e mirë e politikës është gjithashtu në favor të këtij procesi duke vendosur përpara agjendën e integrimit të vendit se sa agjendat personale politike.
Por kjo duhet të ndodhë me veprime, me aksione, kjo nuk mund të jetë veç retorikë.
Ky nuk është një perceptim bazuar mbi mënyrën si ju shohim ne si opozitë pjesën e qeverisë. Por, është një fakt qartësisht i pohuar dhe vërtetuar në raportet e njëpasnjëshme të Bashkimit Europian që shkruhen duke pasur parasysh ndarjen mes premtimeve dhe fakteve.
Vullneti i fortë politik i nevojshëm për reformat nuk është shfaqur akoma, ndoshta është aty por akoma nuk është treguar që ky proces duhet të jetë procesi i Shqiptarëve.
Një vend në transformim dhe rrugë drejt BE-së është një vend ku ka mobilitet social dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen këtu dhe jo një vend ku përditë mendohet largimi.
Duhet një vullnet i tillë politik për të mos kërcënuar, intimiduar apo relativizuar çështjet korruptive në të cilat është e përfshirë qeveria shqiptare. Le të mos harrojmë që 2 në 3 shqiptarë janë të bindur që çështja e inceneratorëve është një aferë e pastër korruptive e cila ka mbetur pa u adresuar përfundimisht. Një çështje që jo vetëm është një lakmues i forcës së SPAK por njëkohësisht edhe një lakmues i tonalitetit të ngjyrës së korrupsionit që merr kjo qeveri e cila kritikohet po ashtu në progres raport në një nga kriteret kyçe siç është ajo e korrupsionit.
Sot ne nuk duhet as të kishim në diskutimin e ditës Amnistinë Fiskale dhe Penale, jo vetëm kaq por perceptimit të gabuar që u është veshur shqiptarëve i shtohet edhe projekti i kritikueshëm nga Bashkimi Europian, ai i Pasaportave të Arta.
Për vite me radhë qytetarët kanë parë se si parimi i pandëshkueshmërisë dhe aplikimit të sundimit të më të fortit ka qenë lajtmotivi që ka udhëhequr shtetin. Nga kjo duhet të ishim distancuar një herë e mirë pasi kemi votuar Reformën në Drejtësi, për të ngritur një sistem drejtësie ku nuk operohet me trafikimin e influencave politike dhe nepotike.
Sot ne duhet të kishim ndarjen e pushteteve dhe Sundimin e Ligjit. Jo një korporatizëm në vend të një korporatizmi tjetër. Prandaj është tejet tragjike që sot e kësaj dite qytetarët të vuajnë jo vetëm procedura të gjata por edhe një mosndëshkim të atyre që vishen me kostumin e politikës apo që financojnë politikën për t’i ikur barazisë përpara ligjit.
Europa është dëshira dhe modeli ynë jo vetëm për shkak të ekonomisë dhe mirëqenies por mbi të gjitha si pasojë e ngritjes së saj mbi parimet e drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit.
Sot respekti ndaj institucioneve, fjalës së lirë duhet të ishte mbi dëshirën për kontroll dhe për censurë.
Mirëpo në mënyrë tragjike situatat e këtyre viteve, sidomos pas viti 2014, kanë dëshmuar një përkeqësim të vazhdueshëm të Shqipërisë jo vetëm në raportet e Reporterëve pa Kufij apo dhe Freedom House por edhe në Progres Raportin e Bashkimit Europian.
Pikërisht ky progres raport që Kryeministri e valëvit si të vetmin raport të besueshëm për të shkruan “Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe akteve të intimidimit karshi gazetarëve nuk janë përmisuar. Çdo ndryshim në Ligjin e Mediave duhet të kryhet në linjë me opinionin e Komisionit të Venecias dhe duhet të kryhet në konsultim me organizatat e medias. Duhet theksuar se media duhet të ketë akses të plotë dhe të drejtpërdrejtë në institucionet e qeverisjes dhe aktivitetet e tyre”
Për fatin e keq sjelljet dhe kërcënimet me “internime” dhe rehabilitime janë tejet problematike, janë shenja jo të një demokracie të shëndetshme që implementon reforma në shërbim të qytetarëve dhe procesit të integrimit. Por të një pushteti politik që dëshiron të implementojë përherë ligje që censurojnë, kontrollojnë apo komandojnë linjën editoriale të mediave. Shenja pra të një autokracie që nuk përngjason me vlerat dhe parimet mbi të cilat është ngritur BE.
Njësoj sikundër është dhe zhbërja e një tjetër kriteri të përcaktuar qartë si ajo e Administratës Publike. Transformimi i saj në një forcë që lëviz qeverinë dhe që e afron atë më afër Bashkimit Europian është një nga investimet më serioze që BE ka kryer në vendin tonë.
Por ndonëse për vite me radhë janë implementuar reforma dhe trajnime në shërbim të Administratës Publike, sërishmi qeveria vazhdon të ndjekë politika që na largojnë dhe jo të na afrojnë me këto parime.
Krijimi i 3 agjencive pranë zyrës së Kryeministrit mbetet një nga shqetësimet kryesore të BE-së. “ . Krijimi i disa agjencive qeveritare rreth Kryeministrisë, pa një kuadër gjithëpërfshirës drejtues dhe pa një vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikëqyrjes dhe raportimit, ngre pikëpyetje në lidhje me standardet e administratës publike.”, shkruhet në raport. Shqipëria ka kryer një progres minimal në forcimin e kapaciteteve të ministrive të linjës për të implementuar impaktin rregullator dhe për të mbajtur konsultime publike. Mungon transparenca në ligjvënie dhe kjo është arsyeja përse kemi korrupsion në nivelin e kapjes së shtetit. Janë vetëm 9 ligje që kanë kaluar në procesin e ACQUIS pra që kanë lidhje me procesin e integrimit.
Që të kuptohemi, shumëkush që i dëgjon këto kushte qoftë edhe për herë të parë e kupton se këto janë në fakt oksigjeni dhe ambienti në të cilën rritet dhe zhvillohet një shtet demokratik. Prandaj dhe janë jetike në procesin e integrimit, për t’i ofruar një mundësi të gjithë qytetarëve që të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.
Përse qeveria shqiptare sot ka vendosur që të shkelë MSA-në në së paku 2 raste të përmendura qartësisht në Progres Raportin e BE-së?!
Për mua nuk është aspak e habitshme që kjo qeveri është tejet pasive në raport me procesin e integrimit duke e kthyer atë në një proces gati teknik pa asnjë qëllim politik për t’i shkuar deri në fund.
E kam lexuar qartësisht në çdo nismë të qeverisë që bie në kundërshti me parimet mbi mjedisin, tregun, sundimin e ligjit dhe demokracisë.
Çdo nismë madhore e qeverisë ka prodhuar debat jo për natyrën pro aktive në procesin e integrimit por ka prodhuar debat për natyrën regresive që qeveria ka marrë ndaj këtij procesi.
Nëse nuk ju mjaftojnë Amnistia Fiskale, Pasaportat e Arta, Ligji për lejimin e Kanabisit, Ligji kundër Mediave mund të vazhdoj më tej me Ligjin për Shembjen e Teatrit Kombëtar, Ndërtimin e Aeroportit të Vlorës apo dhe së fundi projekti me mijëra pikëpyetje si Marina Bay and Yacht.
Koha e viktimizimit duhet të marrë fund!
Është tërësisht e pamendueshme që ende në diskutimet tona politike qeveria krahasohet me 10 vite më parë kur ka pasur gjithçka në dorë qoftë për të ecur pak më shumë se ky krahasim!
S’e pranoj dot që dhjetë vite pas ndërrimit të pushtetit, ku logjikisht duhet të kishim ecur më përpara ne të diskutojmë tema që as përpara një dekade nuk i kemi diskutuar.
Që duhet të luftojmë për çdo gjë!
Kësaj situate shqiptarët ia kanë dhënë përgjigjen përmes largimit dhe zhvendosjes së trishtë jashtë vendit.
Do ishte një ëndërr e bukur sikur ky parlament të ngrihej pak mbi lartësinë që ka mbajtur gjithë këto vite për të diskutuar se si mund ta ndryshojmë këtë gjendje.
Se si mund të bëhemi bashkë për të mbajtur njerëzit duke ndërtuar diçka më të mirë për ta edhe kur nuk na shkon ne për shtat. Dhe kjo është diçka e lehtë, mjafton vetëm të luftojmë për ta kthyer këtë rrugëtim në një proces realisht transformues duke luftuar që në fund fitimtar të dalin shqiptarët.
Mirëpo ky është një hap i madh! Që do guximin për të hequr dorë nga gënjeshtrat me të cilat jo rrallë rrethojmë vetveten. Njëra palë duhet të heqë dorë nga mburoja e pushtetit për të lënë drejtësinë të funksionojë. Pala tjetër duhet të heqë dorë nga refreni i akuzave me pengmarrje që në fakt fsheh një frikë që nuk i përket shqiptarëve.
Këtë guxim nuk e quaj utopi. Ky është guximi që duhet të ketë politika shqiptare, pra që duhet të kemi ne. Ose do kapim trenin për të shkuar drejt BE-së apo për ndryshe ne këtu do të mbesim në stacionin e mërzitshëm duke pritur sa të ikin të gjithë.
Shqiptarët, nuk kanë ndërmend të presin derisa ne t’i thërrasim vëmendjes për të ndryshuar. Prandaj do mbesim vetëm me një fletë progres raporti që është si ato diagnozat e një sëmundje që ne nuk kishim guximin ta kurojmë.
Nëse ky proces do të ishte trajtuar me seriozitet nuk do të ishim këtu duke diskutuar në këtë debat. Do ishim duke vijuar reforma të rëndësishme dhe jetike për qytetarët tanë ndërsa përfitonim përherë e më shumë nga fondet e Bashkimit Europian. Prej të cilave nuk kemi përfituar sepse kur BE shpalli nismën e fondeve të Procesit të Berlinit, si Autostrada Adriatiko-Joniane, qeveria shqiptare qe e zënë të sajonte planin 1 miliardë Dollarë nën moton e “Rrugëve të Arta”!
Duke harruar që në fakt rruga e vetme për të ndërtuar vendin tonë këtu është Bashkimi Europian.
Prandaj sot, ky debat nuk mëton vetëm të përshkruajë dështimin e trishtë dhe të padëshiruar të Shqipërisë në raport me integrimin.
Por, mbi të gjitha, të ofrojë rrugëdaljen ashtu që çdo shqiptar ta ketë të qartë se dëshirën e tyre për një Shqipëri Europiane e bashkë-ndajnë opozita e këtij parlamenti dhe kësaj qeverie.
Ne besojmë fortësisht se rruga e vetme për të mbajtur Shqiptarët këtu është ajo e ndërtimit të Europës në vendin tonë.
Ne e dimë mjaft mirë që Europa e ndërtuar këtu do të thotë një shtet dhe një qeverisje me institucione transparente dhe llogaridhënëse. Prandaj po luftojnë për këtë nismë ashtu që të jetë një gur kilometrik në një demokraci që duhet të përmisohet dhe evoluojë për të mirëmbajtur vlerat e shëndetshme.
Ndërtimi i Europës në vendin tonë është një domosdoshmëri bazuar mbi realitetin gjeo-strategjik që po përjetojmë sot pas agresionit në Ukrainë. Një agresion që kthen në domosdoshmëri betejën në çdo vend kundër autoritarizmit dhe diktaturës të çdolloj forme përfshirë dhe atë të veshur me buzëqeshjen fasadike europiane.
Prandaj mendoj që është jetike që ky proces për t’u kthyer në binar ka kete proces. Shqipëria mund të bëjë më shumë nëse qeveria do të kishte përshpejtuar apo angazhuar burimet e saj për këtë proces dhe përmbushjen e kushteve.
Prandaj kjo është arsyeja që unë kërkoj një rol më të madh të parlamentit. Së pari për të hedhur hapa gjithnjë e më të sigurtë në ndërtimin dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura.
Së dyti, për të pasur llogaridhënie më të mirë nga ana e qeverisë për një proces që i takon gjithë shqiptarëve. Pra, rrjedhimisht është një proces që i takon parlamentit të vendit dhe jo një qeverie të cilësdo palë politike.
Pra është detyrë e çdo deputeti të votuar nga shqiptarët e cilitdo krah politik që të implementojë dëshirën e tyre për integrimin e vendit në Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur.
Ka ardhur koha që ky parlament të ngrihet në lartësinë e duhur duke i dhënë shpresë këtij vendi dhe qytetarëve se ne mund dhe do ta ndryshojmë Shqipërinë. Nuk duhet harruar edhe as nënvlerësuar se shqiptarët po largohen drejt vendeve të BE për një jetë më të mirë. Për një jetesë më dinjitoze.
Prandaj është në detyrën tonë që ne të nisim rrugën tonë për të ndërtuar realisht Europën këtu! Koha nuk pret! Shqipëria e ka të nevojshme ndaj ne duhet të nxitojmë. Të jemi në lartësinë e çastit. Të jemi në frymën e momentit. T’i ofrojmë shqiptarëve zgjidhjen që të gjithë e dimë kush është dhe si mund të zbatohet.
(BalkanWeb)
