Intervistë me Gjergj Mazin për premierën e filmit “Sahatçia”.

Ju jeni skenaristi dhe regjisori i filmit “Sahatçia”. Sot bëhet premiera në Kino Millenium. Si ju erdhi mendimi për të bërë këtë film?

Kam një kënaqësi të madhe që paraqitem sot para publikut shqiptar me një projekt që e konsideroj si mjaft të dashur dhe interesant për veten time. Filmi ngrihet mbi një fabul konkrete historike. E shkrova skenarin dhe e bëra regjinë në një kohë mjaft të shkurtër, pasi edhe fabula ishte e gatshme për t’u hedhur në film. Ky është filmi im i parë artistik, e për këtë arsye ka një rëndësi të madhe për mua si kineast. Puna intensive për realizimin e tij nxori në pah sa vështirësi ka ky profesion. Këtë film e bëra për disa arsye:

Kur mësova për ngjarjen e vërtetë, më bëri shumë përshtypje, u preka. Pata një sugjerim, por edhe mendova, nëse mund të bëhej film me atë fabul.

Sa unë kam dijeni në fushën e filmit, si kineast austriak, me 100 % gjak shqiptari, nuk di të ketë filma ku përmenden shqiptarët, që të nxjerrin anët e tyre më të mira si komb – si historia, tradita, zakonet, karakteri. I mëshohet shumë anëve negative dhe kjo është një propagandë e dëmshme për ne si popull.

Me filmin “Sahatçia” bëra atë që m’u duk se shkon në këtë aspekt, bazuar dhe në njohuritë e mia historike. Jam përpjekur të fokusohem tek aspektet pozitive të vendit tim, pasi edhe mesazhi filmit është miqësia mes njerëzve. Shpresoj të kem arritur të justifikoj disi arsyet përse e bëra këtë film.

Filmi është me aktore shqiptare apo të huaj?
Para se të fillonin xhirimet, u bënë shumë kinoprova për të zgjedhur aktorët më të mirë profesionalisht, por dhe që i shikojnë roleve. U mbajt parasysh edhe buxheti mjaft minimal për të realizuar një film artistik me metrazh të mesëm.

Kam falënderime shumë të ngrohta për trupën e aktorëve, për lojën e bukur, të natyrshme, profesionale. Herë-herë i kam munduar, i kam lodhur dhe mërzitur! Por ata treguan mirëkuptim, bënë çka i kërkova, më të mirën: Specifikisht aktorët Rea Bisha dhe Elvis Alieva, dy aktoret kryesore, dhe Johnny Pojani dhe Francesca Pojani, bashkëvuajtësit; Ingrid Tendler dhe Ervin Piplis, aktoret e teatrit Migjeni ne Shkodër……

Falënderoj edhe stafin krijues: Endrit Delihysa, Fatos Qerimaj, Oriana Kamberi, Denis Cara, Afrim Peposhi, Ardiaj Guri dhe Reti Mehmeti.

Ky është filmi i parë artistik, me gjatësi të mesme, që ju prezantoheni në Shqipëri. Por mësojmë se keni mbi 11 vjet pune si kineast.
Ky është filmi im i parë artistik, me gjatësi të mesme, me të cilin prezantohem në Shqipëri. Në Austri kam bërë një numër dokumentarësh të shkurtër, të plotë, disa filma me metrazh të shkurtër, video, clips, reklama, etj. Atje kam hapur edhe disa ekspozita fotografike personale dhe zyrtare. E kam pasion fotografinë. Për organizatat ndërkombëtare në Austri kam bërë rreth 25 dokumentarë të shkurtër dhe video.

Filmi “Sahatcia” është shume i veçantë për mua, si austriak dhe shqiptar, me prindër shqiptare. Ngjarja e vërtetë, qe ka fokus filmi, me ka dhënë një ndjenjë kënaqësie dhe modestie. Kur nis të bësh një film artistik kupton se ke sfidë të madhe, por te bukur.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Aspektet pozitive që dalin në film si i shikon ne lidhje me boten jashtë?

Unë anët e mira i shoh i pandikuar nga opinionet dhe perceptimet. Mund te them atë që mendoj edhe përmes filmit. Them se kërkohet punë e madhe, e organizuar mirë, që të thyhet ai perceptim sikur të këqijat në Evropë vikërkan nga shqiptarët. Kjo nuk është e vërtetë dhe ajo duhet thyer.

Në Europë jetohet në ambient multi-kulturor prej qindra vitesh. Emigrantet mund të sjellin edhe ndonjë problem, por ata e pasurojnë jetën në shumë drejtime: kulturore, shpirtërore, shkencore, teknike e të tjera. Ata janë qytetarë të mirë që punojnë, përpiqen dhe kontribuojnë dhe që investojnë në të ardhmen.

Mendoni se do ketë ndikim tek audienca e huaj ky film?
Unë jam përpjekur të përdor mundësitë që jep ekrani i kinemasë. Filmi në përgjithësi ka ndikim të madh. Audienca do përballet me të panjohura mjaft pozitive në këtë film. Besoj se ato do zënë vend, nëse jo plotësisht, pjesërisht po. Shikuesit do vihen në mendime, do flasin me miq e shokë për fabulën e filmit, një ngjarje e vërtetë, për vazhdimësinë iliro-shqiptare, bukuritë e vendit, për virtyte të shqiptarit, besën, për investimin tek të rinjtë.

Synimi im ka qenë që përmes këtij filmi ta bëj sa më gjerë të njohur këtë histori, veçanërisht në këto kohëra jo të gëzuara kur jetojmë.

Ç’mendim keni ata që e mundësuan këtë projekt?
Falënderoj ngrohtësisht RTSH Bashkinë e Tiranës, për kontributin e tyre. Pa këto institucione nuk ishte i mundur realizimi i filmit.

Meqë pyetët, kam përshtypje se pak investohet për artin dhe kulturën. Mendoj se ato duhen mbështetur shumë më fort se deri tani me mjete, buxhete, me mundësi për të kontribuar më shumë. Sot duket se ato janë minimale. Ndërkohë janë mundësitë për shumë më tepër se kaq, sipas meje. Arti hap shumë dyer që nuk mund t’i hapin investime të tjera!

Falënderoj përzemërsisht Prof. Besnik Bishen, producenti i filmit, për mbështetjen e madhe me përvojën e tij të gjatë!

Me buxhet minimal, që na detyroi të bënim një numër procesesh teknike vetë, shpresoj se është arritur të justifikohen arsyet përse u bë ky film.

Shpresoj që filmi do jepet se shpejti në RTSH që të njihet publiku i gjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb