TIRANE – Partia Demokratike ka denoncuar me foto, lidhjen e Qeverisë me krimin dhe bandat, sipas saj, duke publikuar fotografinë e njerit prej të plagosurve të natës së mbrëmshme, Pajtim Serjanit, duke dalë nga selia e Partisë Socialiste, me shënimin:
“Pajtim Serjani, miku i Shullazit, i përfshirë mbrëmë në përplasjen e bandave, i fotografuar në hyrjen kryesore të Partisë Socialiste, aty ku mbrohet krimi e sulmohet opozita me deklarata si ato të deputetit Bushati sot.”
Pajtim Serjani ishte një ndër të plagosurit e përplasjes së mbrëmshme ndërmjet bandave në rrugën “Islam Alla” dhe “Him Kolli” dhe i lidhur me Emiljano Shullazin, personit të pestë që iu bë atentat po atë natë.
Sot, ka qënë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, që ka denoncuar sot përfshirjen fizike të oficerit të policisë në ngjarjen e mbrëmshme, si mbështetje që Ministri i Brendshëm jep për grupin kriminal.
Sipas tij, ngjarja e mbrëmshme që ka tronditur qytetarët e Tiranës, e nxori lakuriq Kryeministrin dhe Ministrin e tij të rendit, pas mburrjes së tyre me shifra kot, me statistika të sajuara, që nuk i hyjnë në punë askujt. Dihet botërisht se banda e përplasjes së përgjakshme, ka lidhje me qeverinë.
Por përfshirja fizike në këtë histori e një efektivi të policisë, është një fakt i rëndë, kompromentues, që bën përgjegjës drejtpërdrejt Saimir Tahirin, që bën përgjegjës shefin e Tahirit, Edi Ramën.
Ristanin më pas e ka kundërshtuar, deputeti socialist Ervin Bushati, i cili e krahasoi qendrimin e Ristanit dhe të vetë PD-së me atë të një grabitqari, që pret me gëzim rastin të sulmojë.
(ar.sh/BalkanWeb)
