Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu gjatë një lidhje direkte në emisionin ‘Frontline’ në News24 ka folur mbi situatën e reshjeve të ditëve të fundit në qytetin e Lezhës ndërsa deklaroi se situata është përmirësuar dhe se momentalisht po mbahen nën kontroll zonat problematike.

Ndreu tha se autoritetet vendore kanë marrë masat për përballimin e situatës së krijuar nga moti, ndërsa shtoi se uji nuk ka krijuar problematika në brendësi të qytetit pasi sipas tij janë prekur nga uji vetëm një pjesë e vogël e zonës në periferi.

Sakaq, ai theksoi se bashkia e Lezhës nuk ka kërkuar ndihmë nga qeveria për shkak se sipas tij ka qenë e aftë t’i bëjë ballë gjithë situatës, ndërsa deklaroi më tej se një shkak i menaxhimit të mirë të situatës është hapja e 400 kilometrave kanale kulluese në Lezhë që sipas tij nuk kanë lënë situatën të agravojë.

“Ka pasur reshje por situate është përmirësuar, ne po mbajmë në kontroll zonat problematike. Ne kemi marrë masat tona që ditën e premte për reshjet, të gjitha të dhënat e motit i marrim me email zyrtar ccdo ditë dhe kemi ngritur grupet e punës,sa herë ka shi ne marrim masa paraprake. Masat konsistojnë në angazhimin e gjithë forcave të bashkisë, policisë, zjarrfikësve, etj për të indentifikuar çdo rast. Sot që flasim ne kemi një situatë të izoluar në disa zona, por sa i përket banesave kemi vetëm një situatë në një fshat por që në pak banesa ka hyrë uji.

Vetë kam qenë në zonat e riskut dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm për ccdo rast. Nuk ka vërshurar ujë në rrugët e Lezhës, zonat përreth janë vetëm një pjesë e vogël. Nuk kemi kërkuar ndihmë nga qeveria se e kemi përballuar me forcat tona, nuk ishte situata në atë shkallë që të alarmoheshim se nuk mund ta kontrollonim. Nuk ka lidhje me buxhetin, kjo ka lidhje me menaxhimin e situatës, sa për dijeni janë në vende të izoluara nuk ka fusha masive me ujë në Lezhë.

Familjet e prekura do identifikohen, nuk kemi raste ekstreme të panikut dhe për të krijuar një situatë sikur ka prezencë uji, nuk është situate aq e rëndë, kemi hapur kanale kulluese të cilat nuk e kanë lënë situatën të agravojë. Janë hapur 400 kilometra kanale kulluese në gjithë Lezhën. Gjithsesi është situatë jo për t’u neglizhuar, nëse sot në Lezhë është përmbytur vetëm një pjesë 7%, nuk ka situatë më të izoluar se kaq”, tha Ndreu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb