Parlamenti Evropian ka shpallur Rusinë si “sponsor të terrorizmit” referuar akteve “brutale dhe ç’njerëzore” të shkaktuara ndaj Ukrainës që nga fillimi i pushtimit e deri sot.

Euro deputetet, u shprehën se sulmet dhe mizoritë e qëllimshme të kryera nga Rusia kundër popullsisë civile të Ukrainës, shkatërrimi i infrastrukturës civile, shkelje të tjera serioze të Të Drejtave të Njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar, përbëjnë akte terrori kundër popullsisë ukrainase dhe krime lufte.

Rezoluta u miratua ditën e sotme me 494 vota pro, 58 kundër dhe 44 abstenime, gjatë seancës plenare mujore në Strasburg.

Ligjvënësit europianë dënuan gjithashtu Rusinë për provokimin e një krize humanitare në shkallë të gjerë dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe urisë, në rang global.

Rezoluta vjen disa ditë pasi Rusia nisi një sërë sulmesh kundër infrastrukturës të Ukrainës, duke përkeqësuar krizat që do të sjellë dimri.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mirëpriti rezolutën duke thënë se Rusia duhet “të mbajë përgjegjësi dhe ti japë fund politikave të terrorit në Ukrainë dhe mbarë botën”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: