TIRANE – Partia Demokratike ka denoncuar me foto, lidhjen e Qeverisë me krimin dhe bandat, sipas saj, duke publikuar fotografinë e njerit prej të plagosurve të natës së mbrëmshme, Pajtim Serjanit, duke dalë nga selia e Partisë Socialiste, me shënimin:

“Pajtim Serjani, miku i Shullazit, i përfshirë mbrëmë në përplasjen e bandave, i fotografuar në hyrjen kryesore të Partisë Socialiste, aty ku mbrohet krimi e sulmohet opozita me deklarata si ato të deputetit Bushati sot.”

Pajtim Serjani ishte një ndër të plagosurit e përplasjes së mbrëmshme ndërmjet bandave në rrugën “Islam Alla” dhe “Him Kolli” dhe i lidhur me Emiljano Shullazin, personit të pestë që iu bë atentat po atë natë.

Por, PS-ja ka reaguar shkurt me anë të një deklarate pa komentuar për vendqendrimin e Serjanit: “Fotografia dhe komenti i PD-së që lidh të plagosurin e ngjarjes së mbrëmshme me Partinë Socialiste, është një ndër shprehjet më të dëshpëruara të një opozite pa vizion, pa program, pa lider,” – thuhet në të. – Sa më shumë PD-ja përshkallëzon këtë politike balte, aq më e qartë bëhet për ne se nuk ia vlen as t’i pergjigjesh kësaj opozite që nuk do dialog, nuk do debat, nuk do zhvillim po vetëm grindje dhe baltë.”

Ka qënë PD-ja që nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristanit, që ka deklaruar se “banda e përplasjes së përgjakshme, ka lidhje me qeverinë. Por përfshirja fizike në këtë histori e një efektivi të policisë, është një fakt i rëndë, kompromentues, që bën përgjegjës drejtpërdrejt Saimir Tahirin, që bën përgjegjës shefin e Tahirit, Edi Ramën.

Ristanin më pas e ka kundërshtuar, deputeti socialist Ervin Bushati, i cili e krahasoi qendrimin e Ristanit dhe të vetë PD-së me atë të një grabitqari, që pret me gëzim rastin të sulmojë.

(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb