Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në aktivitetin e sotëm “Zbatimi efektiv dhe përmirësimi i legjislacionit mbi dhunën me bazë gjinore”, organizuar nga Kuvendi, me nismën e Institutit Parlamentar, prezantoi nismën për ndryshime e përmirësime ligjore dhe institucionale për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore.
Projektligji i propozuar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar, synon përmirësimin e kuadrit ligjor në fushën e masave ndaj dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Pjesë e propozimeve për ndryshime ligjore dhe institucionale është ngritja e institucionit të Komisionerit për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në marrëdhëniet familjare, për funksionimin e të cilit së shpejti Nikolla do të propozojë një ligj të veçantë.
Nikolla ka propozuar gjithashtu që pranë autoritetit kryesor përgjegjës të ngrihet Njësia e Posaçme për luftimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
“Qëllimi i këtyre propozimeve është të thellojmë përmbajtjen dhe zgjerojmë diapazonin e legjislacionit kundër dhunës me bazë gjinore dhe të përsosim mekanizmat e saj, për ta shndërruar luftën kundër dhunës me bazë gjinore në një çështje të të gjithë shoqërisë, as vetëm të grave e vajzave, as vetëm të shoqërisë civile, as vetëm të agjencive ligjzbatuese. Progresi në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore është tregues i emancipimit të shoqërisë”, theksoi Nikolla.
