Gjykata Kushtetuese kërkon që brenda një viti të plotësohet kuadri ligjor për votën e emigrantëve.

Në shkurt të këtij viti, u bë një padi në Kushtetuese nga Shoqata ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’. Kjo shoqatë kërkonte shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Ata pretendonin se ishte cenuar e drejta kushtetuese e votës së emigrantëve, duke u shprehur se janë ndaluar të votojnë për shkak të masave anticovid që u vendosën në atë kohë dhe për shkak të karantinimit.

Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht kërkesën dhe kërkon që Kuvendi brenda një viti të bëjë gati hapësirën ligjore që të votojnë emigrantët.

NJOFTIM PËR SHTYP:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, me objekt: “ Konstatimi i cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25.04.2021. Deklarimi i Urdhrit nr. 219, datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “h”, të Kushtetutës, si dhe neneve 49, pika 3, shkronja “d”, 51/a, pika 1, shkronja “b” dhe 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash ,

VENDOSI:

  1.  Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
  2.  Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor.
  3.  Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
  4.  Pushimin e gjykimit lidhur me Urdhrin nr. 219, datë 19.04.2021 të Ministrisë së Shëndetësisë.

  Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb