ITALI – Rreth 60 persona janë përfshirë në një sherr masiv në një lokal, në Palestrina të Italisë. Sipas mediave në shtetin fqinj, sherri mes shqiptarëve nga njëra anë dhe italianëve nga ana tjetër, ka nisur për shkak të një birre.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e 15 marsit, ndërsa policia ka vënë në pranga 7 persona, dhe ka shpallur në kërkim 15 të tjerë.
Mes të arrestuarve janë dy shqiptarë, B.C 26 vjeç dhe K.D. 25 vjeç. Ndërsa ndër italianët janë arrestuar M.G. 32-vjeçar dhe babai i tij, pronar i lokalit me inicialet M.G. gjithashtu; A.A. 40 vjeç. G.B. 41 vjeç dhe C.B. 65 vjeçar.
Gjithçka nisi kur shqiptarët B.C. dhe K.D. shkuan në lokalin e 55¬-vjeçarit M.G. për të parë ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Aty nisi një debat për birrën e papaguar, mes shqiptarit 26-¬vjeçar dhe pronarit të lokalit.
Mësohet se shqiptari B.C. ka thënë në polici se është fyer me shprehje raciste nga pronari italian. Sherri i nisur brenda lokalit, ka vijuar edhe jashtë tij, ku u përfshinë rreth 60 persona.
Policia e ka cilësuar ngjarjen si “sherr mes Italisë dhe Shqipërisë” për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve, të ndarë sipas kombësive. Shumica e personave që u pyetën nga policia, thanë se tentuan të qetësonin sherrin e nisur në lokal.
(er.nu/BalkanWeb)
