Një popull i tërë ëndërron Jose Mourinho-n. Portugalia është pa trajner pas zhgënjimit në Botëror, Fernado Santos u shkarkua, ndërsa drejtuesit e Federatës po punojnë për të gjetur pasuesin e tij. Sipas A Bola ka nisur “gjuetia” për trajnerin e ri, ku emri i parë, objektivi më i rëndësishëm, është trajneri i Romës.
Një ditë më parë, speciali zbarkoi në vendin e tij, për të zhvilluar një mini-fazë përgatitore. Kaq ka mjaftuar që në Portugali të gjithë të flasin për Mourinho-n, ndërsa vet trajneri ka zgjedhur heshtjen totale, asnjë fjalë, asnjë koment në lidhje me zërat që flasin për një kalim të tij në krye të ekipit përfaqësues.

Sigurisht kjo nuk është një tratativë e lehtë pasi Mou është nën kontratë me Romën deri në 2024, prioriteti i trajnerit mbetet klubi verdhekuq, por fakti që e kërkon vendi i tij nuk është e lehtë për të dalë me një vendim përfundimtar. Opsioni më ideal është që Mourinho t’i mbaj të dyja deri në 2024, por në këtë pikë fjala e fundit i takon presidentit të Romës.

Sipas mediave portugeze, por edhe atyre italiane, Jorge Mendes, agjenti i Mourinho-s, një ditë më parë është takuar me presidentin e Federatës Portugeze, pikërisht për të diskutuar këtë çështje, mundësinë që “speciali” të marr drejtimin e përfaqësueses luzitane. Situata është në zhvillim e sipër, por sipas A Bola, është një temë e hapur që josh shumë Jose Mourinho-n.
(BalkanWeb)
