Këngëtari i njohur i muzikës popullore Vaskë Curi ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të diele në programin “Dola te Ola” në televizionin News24.

Vaskë Curi, i cilësuar si bilbili i Përmetit, rrëfeu në program pjesëmarrjen e tij në “Festivalin e Gjirokastrës”, ku asokohe merrte pjesë elita e muzikës. “Ngjethem kur e kujtoi atë festival”, tha ai, duke shtuar se bënin tre muaj prova para se të merrnin pjesë.

Ai foli edhe për marrëdhënien që ka patur me të ndjerin Laver Bariu, të cilit i ka dedikuar edhe një këngë.

“E kam bërë vetë tekstin dhe melodinë”, tha ai dhe tregoi se ka qenë rreth 7 vjeç kur ka dëgjuar një djalë që i binte gajdes dhe më pas në bazë të asaj melodie i ngriti këngën Laver Bariut.

Këngëtari e interpretoi në studion e “Dola te Ola” këngën për Laver Bariun, duke dhuruar momente shumë të bukura për të gjithë teleshikuesit.

Vaskë Curi ka realizuar një libër me mbi 400 këngë popullore të cilat i ka grumbulluar përgjatë 12 viteve. Ai tha se këngët në libër janë në shqip dhe në anglisht, një iniciativë shumë e bukur kjo për të ruajtur traditën dhe tekstet këngëve popullore.

Këngëtari u shpreh se i vjen keq që janë të paktë të rinjtë që këndojnë muzikën popullore, ndërkohë që kur ai interpreton, mirëpritet edhe nga mosha e re dhe ndjen se ata i pëlqejnë këngët e tij.

Vaskë Curi gjatë programit foli edhe për familjen e tij duke treguar se bashkëshorten e ka marrë me dashuri. Ata janë prindër të tre vajzave, nga të cilat janë bekuar me nipër dhe mbesa.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: