Nga: Ornela Manjani*
Autoriteti i Konkurrencës do të “hetojë” çmimet e shitjes me pakicë të karburanteve. Lajmi për monitorimin e tregut edhe gjatë këtij viti bëhet e i ditur në raportin vjetor të Autoritet të Konkurrencës për vitin 2015, i cili është dorëzuar në Kuvend. Konkurrenca do të hetojë ecurinë e çmimeve për të ndërtuar një historik trevjeçar monitorimesh, me qëllim për të arritur konkluzione të sakta të dinamikave të çmimeve nga shumica te pakica. Tregu i karburanteve ka qenë nën hetim për dy vitet e shkuara nga Autoriteti i Konkurrencës, porse duket se hetimet e këtij viti do të finalizojnë nëse ka spekulim me çmimet nga importi te pakica. “Nga vlerësimi i çmimeve të shitjes u konstatua se ndërmarrjet e shumicës ndjekin çmimin e blerjes (importit) të karburanteve dhe aplikojnë çmime me marzhe të ulëta, ndërsa ndërmarrjet e integruara të pakicës nuk ndjekin trendin e çmimit të blerjes, duke aplikuar marzhe të larta, kryesisht pas muajit qershor 2015. Analiza e çmimeve të larta nga ndërmarrjet e pakicës e bën të nevojshëm vlerësimin e treguesve financiarë të tyre, gjë e cila duhet të vlerësohet në mbyllje të pasqyrave financiare. Për këto arsye dhe për të qenë më të saktë në periudhat krahasimore, është vendosur që monitorimi të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016”, thuhet në raportin e Autoritet të Konkurrencës. Ndërkohë që Autoriteti i Konkurrencës thotë se, “tregu ka karakteristika të qarta të një tregu oligopolistik, me një numër të kufizuar ndërmarrjesh, me produkte homogjene dhe transparencë kostosh, me tri ndërmarrje kryesore, por ku secila ndjek politikat e veta për ta zotëruar atë”.
ÇMIMET
Sipas të dhënave zyrtare nga Konkurrenca, nga hetimet e vitit të shkuar u konstatua se ndërmarrjet e shumicës ndjekin çmimin e blerjes (importit) të karburanteve dhe aplikojnë çmime me marzhe të ulëta, ndërsa ndërmarrjet e integruara të pakicës nuk ndjekin trendin e çmimit të blerjes, duke aplikuar marzhe të larta, kryesisht pas muajit qershor 2015. Nga analiza e çmimeve mesatare mujore të blerjes dhe të shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve si dhe marzheve mesatare vjetore për periudhën janar-dhjetor 2014 dhe janar-shtator 2015, vihet re se zbatimi i udhëzimit nr. 6, datë 30.01.2015 “Për TVSH në RSH” nuk ka pasur impakt në tregun e karburanteve. Udhëzimi i ri i ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, vendosi hapjen e tregut, duke ua hequr të drejtën importuesve të mëdhenjve, që të diktojnë çmimet fundore të karburanteve edhe për pikat me pakicë. Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur se tregu ka ngurtësim të dinamikave të çmimit të pakicës, SHPK-të ndjekin të njëjtën politikë çmimi si ndërmarrjet SHA edhe në vitin 2015, gjë e cila tregon se ky udhëzim nuk e ka shkëputur ndikimin e ndërmarrjeve SHA në përcaktimin e çmimit të pakicës nëpërmjet të integruarave të tyre. Analiza e çmimeve të larta nga ndërmarrjet e pakicës e bën të nevojshëm vlerësimin e treguesve financiarë të tyre, gjë e cila duhet të vlerësohet në mbyllje të pasqyrave financiare. Për këto arsye dhe për të qenë më të saktë në periudhat krahasimore është vendosur që monitorimi të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016, sqaroi konkurrenca. Raportimi i rezultateve të monitorimit të vitit 2015 tregoi se tregu i importit të dieselit paraqitet shumë i përqendruar, kurse tregu i importit të benzinës është në kufijtë e sipërm të një tregu mesatarisht të përqendruar.
HETIMI
“Nga raporti i hetimit të thelluar rezultoi se gjatë periudhës objekt hetimi nuk u gjetën evidenca që të provonin marrëveshje të ndaluara apo abuzim me dominancën kolektive midis ndërmarrjeve objekt hetimi. Hetimi i realizuar nga Autoriteti i Konkurrencës në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve evidentoi faktin se ekzistojnë hallka të tepërta në strukturat e tregut, që nuk justifikojnë vlerën e shtuar që nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë, shitjet me pakicë, deri te konsumatori duke shkaktuar rritjen artificiale të kostove dhe një elasticitet të çmimit mesatarisht të ulët. Shkalla e lartë e përqendrimit të tregut dhe tendencat për rritjen e këtij përqendrimi kryesisht në tregun e importit kërkon përmirësime strukturore të tregut dhe ndër-thurjen e instrumenteve përtej atyre të Autoritetit të Konkurrencës, për të ndihmuar në kontrollin e abuzimit dhe ndalimin e ndërmarrjeve që kanë fuqi tregu të aplikojnë praktika abuzive, duke dëmtuar konsumatorin fundor”, thuhet në raportin e Autoritetit të Konkurrencës.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
