Real Madrid vuajti shumë për të kaluar një skuadër modeste dhe kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Mbretit. Një gol i Rodrygo-s në pjesën e dytë të ndeshjes, pikërisht në minutën e 69-të i mundësoi ekipit kampion të fitojë 0-1 në fushën e Caserenos dhe avancuar më tej, duke pritur shortin.

Një sfidë ku Los Blancos e patën shumë të vështirë për të luajtur mirë për shkak të terrenit. Menjëherë pas ndeshjes trajneri Carlo Ancelotti shprehu ndikimin e madh të këtij faktori.

Edhe pse ai pranoi se formula e Kupës së Mbretit, që lejonte skuadrat e vogla që të përballeshin me gjigantët e La Liga ishte shumë argëtuese për tifozët, Ancelotti theksoi se terrenet duheshin përmirësuar në mënyrë që të gjithë të shihnin futboll cilësor.

“Nuk mund të luhet në këtë fushë. Sipas meje ky nuk është futboll, është sport tjetër. Formula është e bukur pasi skuadrat e vogla mund të konkurrojnë me të mëdhatë. Është e bukur edhe për tifozët. Por edhe vetë tifozët duan të shohin ndeshje të bukura futbolli.

A e rrezikuam kualifikimin? Jo, në asnjë moment. Ishte ndeshje e luftuar dhe e barabartë, por cilësitë më të mira që kemi nuk u panë në një terren ku nuk mund të luhet me topin në tokë” – u shpreh Ancelotti në konferencën për shtyp.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb