Gjermania njoftoi se do të vendosë testin e detyrueshëm për udhëtarët që vijnë nga Kina për shkak të rritjes së rasteve të COVID-19 në këtë vend.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, në një deklaratë të bërë në Berlin njoftoi se për udhëtarët që mbërrijnë në Gjermani nga Kina do të “nevojitet të paktën kryerja e një testi të shpejtë antigjen” dhe se rregullorja për hyrjen në vend do të ndryshohet në këtë drejtim në një kohë të shpejtë.

Ai theksoi se krahas testit të detyrueshëm nga udhëtarët e ardhur nga Kina do të merren mostra të rastësishme për monitorimin e varianteve të virusit dhe se do të kontrollohen edhe ujërat e zeza të avionëve që ulen nga ky vend.

Vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe vendet e Zonës Shengen që nuk janë anëtarë të BE-së, në një takim të mbajtur dje ranë dakord për zbatimin e masave të koordinuara për shkak të rritjes së rasteve të COVID-19 në Kinë.

Në vendimin e marrë në takim, u njoftuan se për udhëtarët nuk u bë me detyrim të drejtpërdrejtë që të kryejnë testin e COVID-19, por që vendet e BE-së theksuan se “do të inkurajohet në mënyrë të fuqishme” që të kërkohet edhe testi me rezultat negativ i kryer 48 orë para fluturimit për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Kina.

Pasi Kina lehtësoi masat e koronavirusit në fillim të muajit të kaluar, shumë vende të shqetësuara për shkak të numrit në rritje të rasteve dhe përhapjen masive të COVID-19 në vend, njoftuan se do të marrin masa ndaj udhëtarëve që vijnë nga Kina.

Krahas vendeve të BE-së, përfshirë Italinë, Spanjën, Francën, edhe shumë vende të tjera si SHBA-ja, India, Japonia, Malajzia, Britania, Australia dhe Kanadaja, njoftuan zbatimin e testimit dhe masa për të ndjekur gjendjen shëndetësore të udhëtarëve që vijnë nga Kina.

Edhe Komisioni i BE-së në të njëjtën mënyrë ka kërkuar zbatimin e masave të njëjta në mënyrë të koordinuar në të gjithë unionin ku dhe shumica e vendeve të BE-së i janë bashkuar këtij mendimi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb