RUSI- Moska paralajmëroi sot se nacionalizmi ukrainas dhe presioni ekonomik mund të destabilizojë sigurinë në Krime, gadishull në Detin e Zi që Rusia e aneksoi nga fqinji i saj Ukraina dy vite më parë.

“Kërcënimi për destabilizim i situatës sociale dhe politike në Distriktin Federal të Krimesë vazhdon”, deklaroi Nikolai Patrushev, shefi i Këshillit të Sigurimit të Rusisë në një koment për agjencinë e lajmeve “Interfax”.

“Kjo lidhet kryesisht me sfidat politike dhe presionin ekonomik nga kundërshtarët tanë perëndimorë”, tha Patrushev në një takim në qytetin e Jaltës.

Patrushev tha se “qeveria ukrainase mund të kërkojë të destabilizojë gadishullin duke përdorur faktorin nacionalist”.

“Ekstremistë, nacionalistë dhe grupe paramilitare janë krijuar pranë kufirit mes Ukrainës dhe Krimesë”, vazhdoi ai.
Javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin përkujtoi vitin e dytë të aneksimit duke vizituar zonën ku pë ndërtohet një urë që do të lidhë gadishullin me Rusinë.

Ura parashikohet të përfundojë në vitin 2019 dhe kushton 228,3 miliardë rubla (3,4 miliardë dollarë).

Putin zhvilloi gjithashtu një takim mbi zhvillimin ekonomik të Krimesë, aktualisht një nga rajonet më të varfëra të Rusisë.
(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb