Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ka thënë se Kroacia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Ai e deklaroi këtë në një takim me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas në Talin.
“Ne nuk e publikojmë atë që u ofrojmë ukrainasve, por është një ndihmë e konsiderueshme ushtarake në përputhje me atë që ukrainasit presin nga aleatët dhe partnerët e tyre. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë,” tha ai.
Plenkoviç gjithashtu vuri në dukje se për fat të keq, disa nga deputetët kroatë nuk arritën të bënin zgjedhjet e duhura historike për situatën kur “ishte një zgjedhje e thjeshtë midis së mirës dhe së keqes”.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas në takim theksoi gjithashtu se Ukrainës duhet t’i jepet më shumë armë. Ajo shtoi se është e rëndësishme të ulet “tavani i çmimit” për naftën ruse dhe të vazhdojë kërkimi për një mënyrë për të përdorur asetet e ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën.
Më 16 dhjetor, parlamenti kroat hodhi poshtë një propozim që Kroacia t’i bashkohet një misioni të BE-së në mbështetje të ushtrisë ukrainase (EUMAM).