I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte këngëtari i njohur brazilian Eclesio Ramos, i cili prej 10 vjetësh jeton në Shqipëri. Kontakti i tij i parë me Shqipërinë erdhi pasi këngëtari njohu një vajzë shqiptare në Itali, me të cilën ka edhe një vajzë.
Eclesio Ramos tregoi në program se i pëlqen shumë vendi ynë për shkak të qetësisë që të ofron, ndryshe nga Brazili, apo vendet e tjera evropiane ku ai ka jetuar për disa vite.
Këngëtari tregoi se ka patur qejf edhe futbollin ndërkohë që kishte filluar të luante muzikë. Por për shkak të një incidenti që pati në dorë teksa luante futboll, ai vendosi që mos të luante më dhe t’i përkushtohej muzikës dhe instrumenteve muzikore.
Eclesio Ramos tha se ka nisur të merret me muzikë kur ishte 10 vjeç dhe prej asaj moshe fama e tij sa vinte dhe rritej, teksa arriti në kulmin e vet duke mbledhur në koncertet që organizonte nga 30 deri në 50 mijë persona.
Gjatë programit këngëtari foli edhe për lidhjen e ngushtë që ai ka me vajzën e tij dhe me familjarët në Brazil.
Momente shumë të bukura ishin kur këngëtari brazilian Eclesio Ramos këndoi shqip në studion e “Dola te Ola”. Teleshikuesit patën mundësi të shijonin pak nga ajo çka këngëtari ofron në mbrëmjet “live” që realizon në kryeqytet.
