Pas paralajmërimit të Moskës se furnizimi me më shumë armë amerikane dhe evropiane në Ukrainë mund të shkaktojë një konflikt bërthamor, ka reaguar Ukraina.

Këshilltari i presidentit Volodymir Zelensky, Mykhailo Podolyak, ka deklaruar se vendet perëndimore duhet të injorojnë kërcënimet bërthamore të Rusisë.

“Putini nuk është gati të shtypë butonin e kuq! Çdo përdorim i armëve bërthamore, edhe ato taktike, do të çojë në vdekjen e pashmangshme të shumicës së elitës politike ruse. Ata e kuptojnë shumë mirë këtë.

Elita politike ruse dëshiron të frikësojë vendet e tjera, por në të njëjtën kohë ata duan të kenë një jetë të garantuar luksi. Unë do të rekomandoja t’i kushtoja më pak vëmendje komenteve të tilla. Qëllimi i tyre është të mbjellin panik në Evropë”, tha Podolyak për The Times.

Podolyak tha se Moska kishte marrë një paralajmërim të qartë nga fuqitë e tjera bërthamore se do të përballej me hakmarrje të menjëhershme nëse do të fillonte një sulm bërthamor ndaj Ukrainës ose aleatëve të saj perëndimorë, megjithatë nuk ka specifikuar se cilat janë ato shtete që kanë lëshuar një deklaratë të tillë ndaj Kremlinit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb