NGA ARBEN DUKA*
Autogoli i Ramës para Referendumit…. Gjatë fushatës së ngjeshur mediatike të Partisë Socialiste: “Anëtarësohu tani!”, mes euforisë së rastit, Rama ka deklaruar se PS do shkojë në Kongresin e saj me plot 150 mijë anëtarë. Nisur nga kjo shifër apriori u bë dhe zgjedhja e delegatëve në Kongres, “Një delegat për njëqind anëtarë partie”.
Dhe i bie që për 150 mijë anëtarë të zgjidheshin 1500 delegatë, gati 4 herë më shumë se në kongresin e shkuar. Por sa është në fakt numri i anëtarëve të Partisë Socialiste dhe sa delegatë duhet të ishin në Kongres?! Në fakt shumë më pak se ç’ka deklaruar kryetari gati i rikonfirmuar, Edi Rama. Nëse nuk do ishte vendosur zhvillimi i Referendumit, neve do të na servirej shifra spektakolare prej 150 mijë anëtarësh në PS. Po me shpalljen e Referendumit, dikush si pa dashur u kujdes të thoshte se do votojnë në Referendum të 94 mijë anëtarët e Partisë.
Po pse u rrudh në më shumë se në një të tretat, shifra fluturake e gati-kryetarit?! U rrudh se Referendumi ka një kleçkë “të vogël”. Ai quhet i vlefshëm kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarësisë, domethënë pesëdhjetë për qind plus një anëtar, që me shifrën e parakongresit i bie 75 mijë e një anëtarë. Nëse nuk votojnë pikërisht kaq, Referendumi nuk ka vlerë dhe mandati i Ramës mbetet përsëri pezull.
Ndaj ai dikushi (në fakt Taulant Balla) duke ditur saktësisht numrin e anëtarësisë, i doli të keqes përpara, duke deklaruar shifrën 94 mijë, në mënyrë që Referendumi të quhet i vlefshëm nëse në të marrin pjesë 47 mijë e një anëtarë, shifër kjo që dhe mund të arrihet me pak mundim. Megjithatë jemi para një gënjeshtre shumë të madhe të Ramës me shifrën 150 mijë anëtarë. Kjo shifër nuk mbeti thjeshtë propagandë, mbasi në referim të saj u bë dhe zgjedhja e delegatëve.
Por me shifrën e re prej 94 mijë anëtarësh i bie që nga 1500 duhet të qenë 940 delegatë dhe nga 175 anëtarë të asamblesë duhet të zgjidheshin vetëm 120! Përse duhej të bëhej ky mashtrim kaq i madh, që detyrimisht duhet të çojë në anulim të Kongresit, mbasi është zhvilluar me shifra fiktive? PS po nxiton të ndreqë diçka. Kushdo që ka një kartë identiteti mund të shkojë tek Selia mavi dhe të tërheqë një kartë anëtarësie.
Kur them kushdo, them se s’ka pengesë për asnjë se ligji i dekriminalizimit nuk shtrihet gjer tek anëtarët e thjeshtë të partisë, nëse ata më pas nuk aspirojnë për poste ekzekutive dhe legjislative. Nejse, qëllimi ynë është të dimë se sa anëtarë ka realisht Partia Socialiste? Në Referendum kjo shifër ka rëndësi të madhe, nëse ai do bëhet korrekt në votim dhe numërim. Po mund të mos bëhet fare korrekt mbasi nuk ka oponencë.
Gazeta Dita
