TIRANE-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri publikon numrin e tij celular në çdo Komisariat policie. Ne fakt ky ishte një premtim që ministri e bëri publik në analizën vjetore të Policisë së Shtetit pak javë më parë.

Nga sot numri personal i ministrit u afishua në zyrat ku ofrohet shërbim policor, në pritje të ankesave të qytetarëve.

“I nderuar qytetar, për çdo mungesë të shërbimit apo të etikës nga punonjës të Policisë së Shtetit, mirëpres çdo ankesë tënden në numrin tim personal 0682052748, duke të falënderuar për besimin”, është mesazhi i ministrit Tahiri.

Në fakt vetë ministri pranoi se vendimi i tij ishte kundërshtuar nga gati të gjithë bashkëpunëtorët, por ai është i vendosur të bëhej “avokat” i çdo qytetari, që do të ankohet për sjellje jo korrekte nga ana efektivëve të Policisë.

“Unë do pres çdo njoftim nga qytetarët, për sjellje jo të duhur apo çdo ankesë tjetër për mungesë shërbimi nga Policia e Shtetit. Duke u përpjekur kështu të bëhem vetë, bashkë me drejtuesit e Policisë sigurisht, një ndër avokatët më të parë të çdo qytetari që ankohet për mungesë shërbimi në Policinë e Shtetit. Dhe këtë 10-fish duhet ta bëjnë drejtuesit e policisë, sepse nuk ka gjë më të vyer sesa t’i shërbesh një qytetari, që mbase ka dhe jo të drejtë, mbase e ka dhe gabim, por duhet të ketë përgjigje domosdoshmërisht, pa u sorollatur zyrave, pa pritur me orë të tëra, pa dëgjuar shprehje kapadaillëku nga punonjës policie, por duke u ndier i shërbyer nga punonjësit e policisë, duke u ndier i lutur për t’i shërbyer edhe më shumë”, deklaroi ministri i Brendshëm, kur bëri publike nismën.

Kreu i ministrisë së Brendshme zgjedh të theksojë gati në çdo dalje publike, se lufta kundër korrupsionit nis së pari, nga lufta brenda rradhëve të policisë.

Dhe numri i lartë i efektivëve të ndëshkuar në 2 vitet e fundit me masa apo procedime penale, duket një dëshmi e këtij vullneti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb