Nga: GAQO APOSTOLI*

Aktet terroriste vrasëse dhe vetëvrasëse të ISIS-it që tronditën dhe shpërfytyruan jo vetëm Parisin, por tërë kontinentin tonë dhe më gjerë, u përsëritën dje në Bruksel duke goditur drejtpërdrejt zemrën e Europës politike. Aktet e terrorizmit dhe kërcënimet e terroristëve rrinë çdo çast si një makth ogurzi mbi shoqërinë njerëzore. Tërë komuniteti botëror po përjeton gjithnjë e më tepër një agoni masive nga krimet makabre që mediat i transmetojnë në kohë reale dhe me detaje të llahtarshme…
Çfarë ndodhi sot ? Çfarë do të ndodhë nesër ? Përse ndodhin këto akte terroriste ? Si do të pengohet dhe si do të zhduket terrorizmi dhe ISIS bashkë me të ? … Në këtë lumë pyetjesh noton truri i lodhur shoqërisë, që reagon me shumë dhimbje e dashuri njerëzore, me lot, me lule e qirinj, për humbjet e viktimave, pa e humbur ende besimin dhe shpresën në të ardhmen.
Liderët botërorë, kontinentalë dhe rajonalë mblidhen periodikisht në Samite të rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit reciprok, si edhe aleancat ushtarake, që janë një domosdoshmëri për paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik e njerëzor të qëndrueshëm. Ndërkohë, kërcënimet terroriste të ISIS-it kanë mbërritur tashmë në çdo kryeqytet të vendeve të Europës, pra edhe në Ballkan. Po kush është ISIS ?
1. Ka një ISIS të dukshëm…
ISIS-i i dukshëm, që drejton drejtpërdrejt terrorin e tij kryesisht mbi botën e qytetëruar, i cili është i përqendruar në Shtetin Islamik, sipas mendimit tim, është shfaqja e sotme e së keqes së madhe, e djallit. E vetmja mënyrë për ta frenuar dhe eliminuar menjëherë makinerinë ushtarake të tij do të duhet të ishte veprimi i përbashkët dhe intensiv i potencialit njerëzor, teknik, teknologjik dhe ushtarak i aleancave në mbrojtje të paqes dhe demokracisë në botë, të cilat ende nuk janë koordinuar plotësisht mes tyre me veprime plotësisht të besueshme. Mbështetja e shteteve të rajonit ku është alokuar ISIS, e shoqëruar me mbështetjen e opinionit mbarëbotëror, përfshirë këtu manifestimet masive të komuniteteve të artit, kulturës, medias dhe religjioneve të ndryshme është domosdoshmëri jetike. Mbi të gjitha, manifestimet e religjioneve dhe komuniteteve të ndryshme islame, duhet të zhvillohen në mënyrë permanente dhe periodike, duke u distancuar fuqishëm nga aktet terroriste të kryer nga vandalët islamo-ekstremistë, duke krijuar një ambient të drejtpërdrejtë mbytës ndaj këtij fenomeni, i cili, po nuk u ndal shpejt, pasojat e tij do të zhvillohen në përmasat e një shkatërrimi katastrofik botëror.
Ky ISIS i dukshëm ka edhe terminalet e tij, grupet terroriste që shtrihen thuajse në tërë botën, të cilat ndryshojnë nga shkalla e përqendrimit sipas çdo vendi. Për frenimin dhe asgjësimin e këtyre terminaleve të terrorizmit do të duhet të forcohet vazhdimisht bashkëveprimi i derisotëm i shërbimeve inteligjente, forcave policore dhe ushtarake të çdo vendi që aspiron dhe lufton për një demokraci globale dhe të drejtat themelore të njeriut. Për më tepër, situata e këtyre terminaleve komplikohet më shumë edhe nga dyndjet masive të refugjatëve që po krijojnë ngulimet e tyre në vendet e Europës, mes të cilëve, padyshim, do të jenë infiltruar edhe individë dhe elementë të strukturave terroriste, që me siguri do të inkorporohen në rrjetin e terminaleve të terrorizmit në Europë.
Eliminimi i ISIS-it të dukshëm është një objektiv madhor që mund dhe duhet të realizohet menjëherë përmes angazhimeve të mësipërme, veprimit të përbashkët dhe intensiv i tërë potencialit njerëzor, teknik, teknologjik dhe ushtarak i aleancave të mëdha në mbrojtje të paqes dhe demokracisë në botë. Realizimi në kohë i këtij objektivi madhor të rivendosjes së sigurisë dhe rendit në Europë dhe në botë, pra afati i eliminimit të ISIS-it të dukshëm është i përcaktueshëm nga shtabet politiko-ushtarake të aleancave të mëdha dhe kjo, sigurisht që do të ndodhë relativisht shpejt.
2. Ka dhe një ISIS të padukshëm
Në këtë kuptim, ISIS-i padukshëm, si simbol i shfaqjes të së keqes së madhe, i Djallit, potencialisht ekziston kudo, në çdo qenie njerëzore, ekziston brenda meje, brenda teje, brenda secilit prej nesh…Pra, ekziston në çdo individ, familje dhe komunitet, në tërë shoqërinë njerëzore. Ai ekziston në çdo institucion dhe politikë shtetërore, bile edhe në çdo religjion. Në këtë abstraksion që po zhvilloj dhe që guxoj ta shpreh këtu, krahas së mirës që Zoti ka ushqyer me dashuri të pamasë në shpirtin e çdo qenieje njerëzore që në lindje, ekziston edhe e keqja, që djalli, duke synuar deformimin e këtij shpirti plot mirësi, hedh embrionin e tij, duke dobësuar imunitetin e krijesave të pastra njerëzore.
ISIS-i i padukshëm zhvillohet intensivisht brenda çdo institucioni e politike kur përpihet prej korrupsionit dhe kur bëhet agresive dhe antinjerëzore, zhvillohet gradualisht brenda çdo individi e komuniteti, si edhe brenda çdo religjioni që braktis e shkëput lidhjet me Zotin. I cili është vetëm një. Në fund të fundit, varet nga veprimtaria jetësore e çdo njeriu, e çdo familje dhe komuniteti njerëzor, e mbi të gjitha, e tërë zinxhirit njerëzor të shoqërisë, se në cilin drejtim do të shkojë komuniteti dhe tërë shoqëria: drejt së mirës që ushqen Zoti, drejt dashurisë njerëzore, paqes së qëndrueshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor, apo drejt së keqes që injekton djalli, drejt urrejtjes, terrorit dhe luftës botërore, drejt një shkatërrimi të kobshëm.
Eliminimi i ISIS-it të padukshëm është një mision i madh i tërë shoqërisë, dhe si çdo mision ai kërkon angazhimin e tërë zinxhirit njerëzor të shoqërisë, ai do të zgjasë ndoshta në tërë brezat e ardhshëm njerëzorë, se ka të bëjë me luftën ndërmjet së mirës dhe së keqes, por gjithsesi ky angazhim jetik duhet të fillojë që tani, sepse ka një lidhje organike ndërmjet ISIS-it të padukshëm që potencialisht ndodhet tek çdo njeri dhe ISIS-it të dukshëm, është qeliza embrionale e ISIS-it të dukshëm dhe kjo qelizë nuk duhet lënë të shumëfishohet.
3. ISIS-i i padukshëm është qeliza embrionale e ISIS-it të dukshëm
ISIS-i i padukshëm përbën qelizat embrionale të ISIS-it të dukshëm dhe këto qeliza nuk duhen lënë të shumëfishohen. Kështu, kriminalizimi i politikës, korrupsioni i tejskajshëm dhe polarizimi i llahtarshëm spekulativ ekonomik dhe social i shoqërisë, në shumë vende dhe rajone të botës, krijojnë humnera të thella varfërie, në lagështinë e guvave të së cilave shumohen qelizat e krimit potencial që ushqejnë ISIS-in. Agresiviteti i rritur politik brenda një vendi dhe ndërmjet vendeve të një rajoni, ndez urrejtjen që shpërthen në vatra të tensionit dhe konfliktit të armatosur mes tyre, dukuria e sotme e të cilit po shfaqet gjithnjë e më tepër me mjetet e terrorizmit.
Dyndjet e sotme biblike tregojnë se duhet të shemben barrierat e kufijve që ndajnë popujt nga njëri-tjetri dhe bota do të duhet të shkojë detyrimisht drejt ndërtimit të një sistemi komunikimi njerëzor, ekonomik dhe social, sipas parimit të funksionimit të enëve komunikuese. Kjo tregon që globalizimi i ekonomisë do të duhet të zhvillohet në mënyrë harmonike me globalizimin e demokracisë dhe të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut që të hiqen barrierat që ndajnë popujt, të shpejtohet zbutja e polarizimit ekonomik, rritja e punësimit dhe ulja e varfërisë, të cilat janë vatra që ushqejnë qelizat embrionale të ISIS-it.
Në këtë kohë, kur dhjetëra e qindra mijë refugjatë po largohen përmes Ballkanit nga vendet e origjinës së terrorizmit drejt vendeve të zhvilluara Europiane, duket absurd fakti që të pengohet integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE apo edhe lëvizja e lirë të qytetarëve të Kosovës. Sigurisht, angazhimet efektive për integrimin e shpejtë në BE dhe liberalizimin e vizave janë një domosdoshmëri, por edhe rritja e tolerancës së BE në këtë proces, përbën një detyrim vital të saj.
Duke shërbyer si hapësirë tranzite dhe urë kalimi për dyndjet masive të refugjatëve dhe për ngulimin e tyre, si edhe duke u ndodhur në një situatë, që fillimisht do të ketë më shumë sfida të rrezikshme se sa oportunitete, Ballkani, duhet të vlerësohet nga BE, më me shumë ndershmëri e zemërgjerësi për gatishmërinë e tij, në këtë situatë të rrezikshme me ISIS-in në prag. Sot është e një rëndësie vendimtare angazhimi në rritjen e veprimtarisë jetësore e çdo njeriu, e çdo familje, e komunitetit njerëzor, e mbi të gjitha, e tërë zinxhirit njerëzor të shoqërisë, në mënyrë që çdo individ, familja, komuniteti dhe tërë shoqëria të shkojë drejt së mirës që ushqen Zoti, drejt dashurisë njerëzore, paqes së qëndrueshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor. Është një domosdoshmëri angazhimi global i tërë institucioneve shtetërore e publike, të OJF-ve të specializuara në fushën e arsimimit dhe edukimit të publikut dhe sidomos rinisë, me parimet e ndërtimit të paqes së qëndrueshme, që e ka bazën në dashurinë e vërtetë në të gjitha elementët e shoqërisë njerëzore: në harmoninë brenda vetë njeriut, brenda familjes, në komunitet dhe në tërë shoqërinë. Edukimi i këtyre parimeve nuk do të lejojë ISIS-in e padukshëm, të keqen e madhe, djallin, që të injektojë embrionin e tij për të dobësuar imunitetin e shpirtit të krijesave të pastra njerëzore. Dhe kështu, në shpirtin e njeriut do të mbretërojë dashuria e pamasë e ushqyer plot dashuri nga Zoti ….

(d.d/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: