Sot rikthehen në Kuvend 4 deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Sali Berisha, të cilët u përjashtuan nga seancat plenare për 10 ditë. Berisha bashkë me Belind Këlliçin, Flamur Nokën, Edmond Spahon dhe Edi Paloka, u përjashtuan më 26 janar pasi bllokuan foltoren.

Gazetari Osman Stafa në një lidhje live për News24 raportoi se kryefjalë e diskutimeve sot në Kuvend do të jetë çështja ‘McGonigal’ dhe paligjshmëria, e njëjta tezë që do të ndiqet dhe në protestën para kësaj godine. Zoti Berisha dhe grupi i tij parlamentar do të nisen drejt Kuvendit pak para orës 17:00. Nga ana tjetër deputetë të PD-së që vijojnë të jenë të përjashtuar, kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në seancën plenare, ndonëse me rregullore për 10 ditë janë jashtë Kuvendit.

Nga ana tjetër bëhet e ditur se nuk ka pasur njoftim që militantët të shkojnë në oborrin e kësaj selie dhe të shoqërojnë Berishën drejt Kuvendit. Militantëve dhe simpatizantëve të PD iu është kërkuar që ata të jenë para parlamentit në orën 17:00.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: