TIRANE- Kryeministri Edi Rama thotë se “nëse Donald Trump zgjidhet president, është fatkeqësi vetëm e shtetit amerikan”. Deklarata e kryeministrit është bërë në emisionin “Zululand”, ku ai foli për rrezikun e terrorizmit dhe krizën e refugjatëve.

“Trump dëshiron të fitojë me çdo kusht duke “blerë” kapitalet njerëzore edhe duke i cilësuar myslimanët terroristë. Mjafton të dalë një person të flasë kundër myslimanëve dhe të gjithë emocionohen, duke krijuar ngazëllim te Maria Le Pen në Francë apo të tjerë që nuk përfaqësojnë vlerat tona të përbashkëta europiane. Donald Trump do të jetë një fatkeqësi për amerikanët nëse zgjidhet”, tha kryeministri.

Duke u ndalur tek rreziku i terrorizmit dhe kriza e refugajtëve, Rama tha se Europa ka nevojë të ridimensionohet dhe rikonceptohet ndaj vlerave të saj, duke u pozicionuar qartë ndaj politikave antieuropiane.

“Duhet bashkëpunim më i madh. Kjo është dobësia e Europës për të krijuar një sistem inteligjence, për të bërë të mundur që një person që orkestroi atë që ndodhi në Francë, të mos kalojë kufijtë e më pas të kapet në Bruksel. Ky person del në një vend i skeduar dhe në një vend tjetër i pa skeduar. Duhet sistem i përbashkët mbrojtjeje e sigurie. Nuk kemi një provë që mbyllja e kufijve do të rrisë sigurinë, nuk kemi një provë që cedimi i privatësisë sjell rritje të sigurisë. Unë patjetër që kam besuar në BE, dhe besoj te projekti që kanë themeluar etërit e BE. Të thuash sot që Europa nuk funksionon thua një të vërtetë, të thuash këtë se projekti është i paplotë apo ka çalime të tjera, është një zgjidhje. Unë mendoj se është projekt i paplotë. Duhet të kemi një pamje të thjeshtë e të qartë të botës myslimane. Ajo është rreth diçka më shumë se 1.5 miliardë njerëz dhe nga këta, 150 milionë janë pjesë e botës myslimane. Pra, 10 % që ka një lexim pa mundësi interpretimi apo leje leximi të Kuranit, janë vetëm 150 mijë e botës myslimane që përbëjnë rrezik potencial. Pra në thelb vetëm 1% e botës myslimanë shkakton rrezik. Dhe ky 1 % nuk mund të cenojë botën e tërë myslimane”, tha kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: