Skënder Gega, trajneri i vetëm kampion i Partizanit të pas viteve 2000, rrëfehet në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ku flet për gjithçka. E nis me cilësinë e kampionatit, pengesat e hasura në punën e tij, teksa flet gjatë edhe për Partizanin e Kukësin. Gega tregon “kurthet” e ngritura ndaj tij, teksa komenton edhe atë që ekipi i kuq ka bërë deri më tani, ku e konsideron si diçka pozitive faktin që drejtuesit kanë treguar durim te trajneri dhe i kanë dhënë kohë.
Në janar u larguan disa lojtarë të rëndësishëm nga Kategoria Superiore. Mbetet ende një kampionat kompetitiv?
Është rritur konkurrenca, por kjo nuk do të thotë se është rritur cilësia. Në aspektin financiar Tirana apo Partizani kanë përfituar dhe është pozitive që në një klub jo vetëm të investohet, por edhe të përfitohet nga investimi. Lojtarët të ngjiten më lart në karrierë dhe të sigurojnë të ardhura, por edhe klubi të përfitojë. Në lidhje me hapësirën që kanë lënë nëpër skuadra, kur merr një ofertë apo një propozim, patjetër që duhet të kesh edhe një plan B. Jo shpesh herë funksionon, por janë klubet që i kanë në kurriz të gjitha. Është pozitive që janë kthyer disa lojtarë në Superiore. Ishin dy që kishin ikur nga Laçi, është Abazaj, Balaj gjithashtu është aset i futbollit shqiptar. Nuk do të bëjë mrekulli, por duhet, sepse i jep kampionatit një shtysë më të mirë. Të gjithë kanë gabuar shpesh në periudha të ndryshme, prandaj edhe tabela është aq e ngjeshur nga fillimi deri në fund.
Partizani nuk ka pasur rezultate në këtë vit kalendarik. Mos janë pikërisht largimet, që e kanë sjellë skuadrën në këtë situatë?
Futboll luan çdo ekip tashmë. Në Superiore diferencat reduktohen shumë. Duhet të jesh konstant në rezultate. Mospërputhja e objektivave me situatën aktuale të bëjnë që të krijosh dyshime mbi këtë skuadër, por unë them se me gjithë luhatjet e mëdha që ka pasur, fakti që klubi po tregohet i durueshëm me trajnerin, për mua është diçka pozitive. Kështu duhet të funksionojë në sport, sepse nuk po bën një picë, që e merr për 20 minuta, ka vështirësitë e veta. Gjithnjë shikimi kthehet te trajneri, por mund të jenë edhe elemente të tjerë. Gjithsesi, çdo ekip ka pasur luhatjet e veta. Me dy fitore mund të hysh tek ekipet pretendente dhe me dy humbje mund të shkosh për mbijetesë. Aq më tepër në Shqipëri, që dalin në konkluzion pa e lexuar librin. Fakti që një pjesë e mirë e klubeve kanë duruar dhe kanë qëndruar me të njëjtin trajner, është diçka pozitive. Unë mendoj se gjithçka është e hapur.
Mos janë pak si shumë për Partizanin fitimi i titullit, stadiumi dhe mbushja e arkave me shitje brenda një sezoni?
Jo, nuk do ta quaja një ngarkesë këtë fakt, madje mendoj se është ekstremisht pozitive. Presidenti Demi ka investuar shumë dhe në Shqipëri nuk ke ndonjë mbështetje të madhe nga shteti apo njerëz që duan të investojnë në sport. Këtu e hedh investimin dhe nuk dihet kur e merr mbrapsht. Shitjet janë diçka shumë e mirë. Partizani ka një shtëpi dhe meriton komplimente. Është e pafalshme të shohësh Partizanin, Dinamon apo Kukësin me çanta në shpinë, si emigrantë. Bëhet fjalë për Superioren, elitën e futbollit të një shteti. Pamorama Sport
