Shefi i ushtrisë mercenare të Rusisë “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, ka pranuar se grupi i tij mercenar po përballet me vështirësi në Ukrainë dhe së shpejti do të “zvogëlohet” në numër, mes dyshimeve në rritje se ndikimi i tij politik në Kremlin po zbehet.
“Numri i njësive Wagner do të ulet dhe ne gjithashtu nuk do të jemi në gjendje të kryejmë qëllimin e detyrave që do të donim,” i tha Prigozhin gazetarëve rusë të mbledhur në një kazermë ushtarake në Ukrainën lindore sot. “Të gjithë e keni dëgjuar se rekrutimi i të burgosurve në radhët tona është ndalur”, u shpreh ai.
Komentet e Prigozhin pasuan një njoftim të fundit se grupi mercenar nuk do të rekrutojë më të burgosur për të luftuar në luftë, duke i dhënë fund një fushate disamujore në të cilën Wagner regjistroi rreth 40,000 të dënuar nga burgjet ruse.
Prigozhin nuk ka ofruar asnjë shpjegim për shpalljen e përfundimit të përpjekjes së rekrutimit, por vëzhguesit thonë se masa është pjesë e një reagimi në rritje kundër tij nga shërbimet ruse të sigurisë.
