Ish-sulmuesi i Partizanit tashmë pjesë e ekipit të Guangjusë në Korenë e Jugut, Jasir Asani ka dhënë një intervistë për emisionin “Panorama Sport”, në “Panorama TV”.

Asani zbuloi se kishte marrë disa oferta nga klubet në Evropë përpara se të shkonte në Azinë e largët. Përsa i përket kampionatit shqiptar, sulmuesi u shpreh se Partizani mund të shpallet kampion dhe nëse do të merrte një ofertë nuk do ta mendonte dy herë. Gjithashtu Asani deklaroi se do të ishte shumë i lumtur nëse do të merrte një ofertë nga trajneri Silvinjo për të qenë pjesë e kombëtares kuqezi.

“Çdo gjë po shkon shumë mirë, po përgatitem për ndeshjen në kampionat. Kisha oferta të tjera nga Evropa dhe pasi fola me familje vendosa të vij këtu për një eksperiencë të re, është një kampionat shumë i fortë dhe do jap maksimumin pasi më respektojnë shumë këtu. Nuk dua të përmend emrat e ekipeve që më kanë kërkuar, edhe pse i falënderoj shumë. Bisedova me shokët dhe me familjen, doja të provoja këtë kampionat. Nuk kam hasur probleme deri tani, kemi luajtur miqësore, kampionati këtu është shumë taktik. Duhet ta provoj një eksperiencë të re.

Nuk mendoj se kam bërë hap pas, dua të bëj një sezon shumë të mirë, dhe nga këtu mund të largohem në një ekip në Evropë. Më kanë pritur shumë mirë, jam shumë i lumtur, më respektojnë janë njerëz shumë të mirë, që japin dhe shumë dashuri. Shpresoj që me ekipin të arrijmë objektivat. Ka shumë vrapime këtu dhe është shumë i shpejtë, nuk ka shumë ndalesa. Janë shumë përpara me infrastrukturën, edhe pse Shqipëria e ka ngritur dhe nivelin e stadiumeve dhe futbollistëve. Ka shumë diferencë ekipi në Hungari dhe këtu, këtu është më shumë fizik, nuk humbasin kohë kur marrin faull. E kam fizikun e duhur për të luajtur këtu. Vendosa të largohesha nga Kisvarda, për një eksperiencë të re, jam i lumtur që kam dhënë shumë për atë klub, dhe po rritet shumë. Ata më kanë ndihmuar shumë dhe mua, dua ti shoh sërish në Kupat e Europës.

Në merkaton e janarit nuk më ka ardhur asnjë ofertë nga klubi i Partizanit, sepse nëse do më vinte do e mendoja dy herë, e kam në zemër si klub, më jep shumë emocione, kemi dhënë shumë. Nuk i dihet asnjeherë për tu kthyer, më ka dhënë shumë, jam i lumtur që kam luajtur për atë fanellë. Tifozët më shkruajnë ende për Partizanin. Grupi me Skënder Gegën ka qenë shumë i mirë, trajneri na bashkoi të gjithëve të ishim në një mendim, na përgatiti për titullin dhe na tha që të jepnim maksimumin, duhet të djersitesh çdo ndeshje dhe stërvitje, ai bëri një grup shumë të fortë. Ai Partizan ishte më i fortë se tani. Në kampionatin shqiptar ka çdo javë ndryshime, ata mund të shpallen kampionë, duhet të jenë vetëm me këmbë në tokë dhe të japin maksimumin dhe ti gëzojnë tifozët e tyre, duhet të jenë së bashku dhe kanë shumë lojtarë të mirë. Bitri dhe Skuka ishin lojtarë shumë të mirë, ndikoi pak largimi i tyre por ka ende shumë lojtarë të tjerë të mirë dhe duhet të aktivizohen këta të rinjtë, dhe të ndihmojnë ekipin që të arrijnë objektivat. Kolela duhet të qëndrojë akoma aty, futbolli ka ulje dhe ngritje, por ai është trajner shumë i mirë, e meriton të jetë akoma aty, është në rrugën e duhur, dhe të dalin kampion, nuk duhet të kenë frikë nga asnjë skuadër. Të tjerët duhet të kenë frikë nga Partizani.

Përsa i përket kombëtares, unë e kisha ftesën kur isha në Hungari por nuk më la klubi të shkoja se kisha ndeshje të vështirë, por do kisha qejf të luaja për Kombëtaren tonë, do ta shohim deri në fund. Kam pasur kontakte me disa njerëz të tjerë që mund të më shohin nga afër në miqësore, do e prisja me gjithë qejf një ftesë, tani të shikojmë çdo të ndodhë në të ardhmen.

E shoh Partizanin kampion, është klub shumë i madh dhe ekipet e tjera e kanë shumë frikë. Edhe Tirana është i fortë dhe është rivali i fortë. Normale do zgjidhja Partizanin në vend të Tiranës, ai klub më ka dhënë shumë, kam qenë shumë i lumtur aty. Me Guangjunë kemi objektiva të jemi në 3 vendet e para të kampionatit dhe ti marrim ndeshjet një nga një pasi është i fortë dhe i vështirë. Shpresoj të luaj me kombëtaren edhe pse nuk e kam unë në dorë”, u shpreh Asani në “Panorama TV”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb