Ish-shefi i Shtabit te Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me situatën e luftës në Ukrainë, vetëm dy ditë para një-vjetorit të parë të konfliktit të armatosur.
Kollçaku deklaroi se me nisjen e konfliktit përllogaritjet e presidentit rus Vladimir Putin kanë qenë të gabuara për shkak se nuk pritej që Ukraina të rezistonte dhe të ruante territorin e saj.
Sipas tij Ukraina tanimë synon çlirimin e territorit të saj që është pushtuar nga Rusia, që rreth tij është rreth 20%, ndërsa tregoi se Rusia synon aneksimin e 4 rajoneve ukrainase dhe krijimin e një korridori për heqjen e qasjes në det të Ukrainës.
Nga ana tjetër nënkryetarja e e Bashkisë së Tiranës për Marrëdhëniet me Jashtë, Anuela Ristani deklaroi se viti i kaluar në luftë ishte vetëm fillimi dhe se në këtë moment nuk ka tentativa për negociata mes palëve pasi sipas saj të dy vendet “po mprehin shpatat”.
Ajo shtoi më tej se Ukraina ka qenë shumë pranë uljes në negociata, por nuk pranoi në momentin kur pa se mund t’i bënte ballë agresionit rus.
Kollçaku:
Një vit në kalendar duket si kohë e shkurtër por për Ukrainën ka qenë një vit i gjatë ku janë përballur me agresionin ndaj lirisë dhe sovranitetit të tyre. Nëse nisemi nga ligji ndërkombëtar ky është dhunimi i sovranitetit të një vendi të lirë dhe llogaritë e Putinit janë bërë gabim që nga fillimi. Përllogaritje e gabuar ishte se rezistenca ukrainase do ishte e vogël, madje prisnin që për 3 deri në 5 ditë të hynin në Kiev dhe do priteshin me lule që më pas të hiqnin qeverinë e Zelenskyt.
Aleanca do ishte e pavendosur për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës është një tjetër llogaritje e gabuar e Kremlinit. Nuk është gabim të themi që një pjesë e Perëndimit i kishte këto rezerva për Ukrainën. Ata patën përvojën e hidhur në Afganistan dhe prandaj nuk u dërguan armët e tyre që në fillim. Ka pasur një hezitim apo mungesë besimi se Ukraina nuk do ia dilte.
Ukraina ka objektiv të çlirojë hapësirën e pushtuar që është rreth 20% e Ukrainës. Rusia kërkon të aneksojë 4 rajone ukrainase dhe të krijojë një korridor për të ndaluar qasjen në det të Ukrainës.
Ristani:
Viti 2022 ishte vetëm fillimi. Tani që flasim Rusia po mobilizon trupa në mënyrë masive, ndërsa Ukraina po krijon mundësitë për shfrytëzimin e ndihmave nga Perëndimi. Nuk ka asnjë horizont të afërt për përfundimin e luftës. Ukraina ishte shumë afër negociatave deri kur filluan të fitonin territor dhe nuk kishte më vullnetin për të dhënë territorin në negociata. Ajo që na prek të gjithëve është se ku do shkojë e gjithë kjo globalisht. Kemi parë përpjekje për të joshur Kinën nga perëndimi, ndërsa Putin ka pasur bisedime me palën kineze. Putin ka shitur idenë te rusët që edhe pse ekonomia ka rënë rreth 33%, fakti që Irani dhe Kina kanë mbuluar sadopak nevojat e popullatës nga sanksionet e Perëndimit.
