Mbrojtësi i Egnatias, Hysen Memolla ishte i ftuar në emisionin sportive “Panorama Sport”, në “Panorama TV”. Ai foli për ndeshjen e nesërme ndaj Bylisit, për objektivat e tij. Ndër të tjera Memolla u shpreh se Vllaznia dhe Tirana janë ekipet pretendente për tu shpallur kampionë, dhe se ishte i gatshëm për një ftesë nga Kombëtarja.
“Ambienti është shumë i mirë dhe më kanë pritur shumë mirë. Jam përshtatur dhe ndjehem i lumtur që jam këtu. Kisha dëshirë të vija këtu dhe e pranova ofertën, jam krenar për zgjedhjen, do punojmë fort për qëllimin tonë. Ka vështirësi, por do të përshtatemi, po punoj shumë fort që të jap kontributin tim. Nuk kisha oferta të tjera nga ekipet shqiptare, kam pasur oferta nga jashtë, por i kam refuzuar për shkak të gruas dhe familjes. Ekipi është përgatitr për Bylisin, jemi gati, duam të marrim 3 pikët, ne shkojmë për fitore. Qëllimi ynë është Europa, do japim maksimumin çdo ndeshje, kemi kualitet si ekip, i kemi mundësitë për ta arritur. Mbaroi kontrata në Finlandë dhe u ktheva pasi ishte shumë ftohtë, u ktheva për familjen.
Nuk u përshtata shumë dhe ndamë rrugët pas 1 vit. Egnatia është ekipi më i fortë në Shqipëri, ka më shumë kualitet se të gjithë. Tirana, Vllaznia dhe Partizani janë rivalët më të fortë tanët. Nuk kam bërë hap mbrapa duke ardhur këtu, kampionati shqiptar po rritet, nuk është dhe aq keq të luash këtu. Vllaznia dhe Tirana janë favorite kryesore për t’u shpallur kampionë. Eksperienca më e bukur e imja ka qenë në Kroaci. Besoj që Silvinjo mund të shoh lojtarë dhe nga Shqipëria, dua të rris nivelin tim. Nuk pata ofertë nga ish-trajneri Edi Reja. Unë jam i gatshëm sa herë të kenë nevojë për mua në kombëtare. Detyra ime është puna dhe stërvitja, objektivi im për nesër është të fitojmë ndaj Bylisit”, u shpreh Memolla në “Panorama TV”.
(BalkanWeb)
